Dy persona janë vënë në pranga nga policia e Tiranës pas dyshime se përmes 10 kompanive fiktive të krijuara prej tyre, janë pastruar rreth 11 milionë euro gjatë viteve 2021-2022.

Të arrestuarit janë Arlinda Marku dhe Darin Gezdari, të cilët në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë kryer transferta bankare të parave që vinin në Shqipëri nga shtete si Qipro, Gjibraltari dhe Malta.

Shumat e konsiderueshme, të cilat në total kapin vlerën e 11 milionë eurove kishin destinacion final Kanadanë.

Paratë dërgoheshin përmes bankave të nivelit të dytë si dhe kompanive që merren me transferta vlerash monetare.

Këto veprime janë kryer në harkun kohor të dy viteve dhe nga hetimet e policisë dhe prokurorisë dyshohet se paratë kishin origjinë aktivitetin kriminal.

Në skemën e ngritur, ku të përfshirë ishin dhe dy të arrestuarit, policia ka dyshime se janë të implikuar edhe persona të tjerë nga Shqipëria, por jo vetëm.

Për identifikimin e tyre hetuesit po vijojnë verifikimet mbi bazën e të dhënave të përftuara.

Tv Klan