Florina Cani, nëna e Martin Cani ka dhënë një dëshmi tronditëse për emisionin “Opinion” në Tv Klan lidhur me ngjarjen e rëndë që i mori jetën të birit, Martin Canit në afërsi të shkollës “Fan Noli” në kryeqytet.

Gjatë rrëfimit të saj, Florina Cani tregon se ajo nuk ka qenë në dijeni të sherrit që ka pasur i biri me autorin e ngjarjes në ambientet e shkollës “Fan Noli” 3 ditë para se të ndodhte vrasja e 14-vjeçarit me thikë.

Mes të tjerash, ajo ka treguar dhe bisedën që kishte pasur më birin ditën që ai ishte konfliktuar në shkollë. Florina thotë se Martini kishte një shenjë të vogël në fytyrë, për të cilën i kishtë thënë se e kishte marrë gjatë sportit.

Blendi Fevziu: Si ndihej Martini në shkollën “Fan Noli”?

Florina Cani: Në shkollë Martini nuk është se ndihej keq sepse nuk është se e kishte Henrin me vete. Unë u befasova kur e dëgjova se Martini është zënë me atë djalin nga vëllai sepse nuk e di nga e mori vesh sepse nuk ishin në të njëjtën shkollë.

Blendi Fevziu: Martini shkoi në shkollën Fan Noli dhe paralelisht vazhdoi dhe sportin. Gjatë kohës që flisnit, a shprehte ndonjë shqetësim?

Florina Cani: Jo, nuk shprehte asnjë shqetësim. Nuk më tha se jam grindur me ndonjë shok. Mësuesja kujdestare nuk më ka marrë në telefon, e mora vesh që kishin pasur një zënkë pas ngjarjes. Ishte fokusuar tek sporti. Idhulli i Martinit ishte Ronaldo, thoshte “unë do të bëhem një futbollist i madh si Ronaldo”. Ishte ëndrra e Martinit. Im shoq punonte 2 punë, unë punoja një punë 4 orë 2 vitet e fundit për të ndihmuar familjen. Unë ju rrija gjithë kohën në kokë të dy fëmijëve.

Blendi Fevziu: Para se ngjarja të ndodhte a folët me të? Ju thatë se kishte pasur një sherr me autorin të premten, ndërkohë që ngjarja ka ndodhur të hënën. Në këtë kohë, a bisedove me djalin, a të qëlloi që të jepte ndonjë shenjë?

Florina Cani: Nuk më ka dhënë asnjëlloj shenje. Para se të flinte Martini, unë flisja me të, bëja biseda me të. Ai më tha “jam vrarë tek sporti”.

Blendi Fevziu: Pse kishte shenjë, goditje?

Florina Cani: Kishte pak këtu, por jo të çara, siç është përfolur.

Blendi Fevziu: Kishte thjesht shenjë…

Florina Cani: Ishte pak nxirë, por shenjë aq sa e kanë publikuar. Më tha që “jam vrarë tek sporti” dhe atë ditën gjithë ditën ka qenë më Luisin, se Luisin e kishte si vëlla, janë rritur bashkë. Të hënën e përcolla vetë për në shkollë, nuk më dha asnjë shenjë dhe më tha “mami mirupafshim” dhe e porosita “Martin ki kujdes”. Nuk kisha asnjë shenjë se si kishte ndodhur.

/tvklan.al