Vendet e lira për në fazën finale të Kupës së Botës 2010 kanë mbetur pak dhe sot luftohet për t’i zënë ato.

Protagonist gjatë të gjithë ditës do të jetë edhe Supersport me takimet më të mira edhe përfshi ato miqësore.

Zona evropiane është epiqendra vëmendjes ku luhen 4 sfida e para play off. Interesante paraqitet përballja mes Portugalisë dhe surprizës që quhet Bosnje e drejtuar nga arkitekti Ciro Blazevic.

Luzitanët që ishin pjesë e grupit tonë kualifikues mbërrijnë në këtë pikë me probleme pasi nuk kanë Cristiano Ronaldo dhe Bosingwa, por mund të mbështeten te 65 mijë spektatorët e stadiumit “Da Luz”.

Në anën tjetër shfaqet një sulm i frikshëm boshnjak, 25 gola në turin eliminator, më mirë se çdo ekip i renditur i dyti në Evropë.

Greqia do të presë në Athinë, Ukrainën që kërkon me ngulm kualifikimin. Futbollistët grekë kanë kërkuar mbështetjen e tifozëve të tyre që nuk kanë treguar interes të madh për të blerë biletat në ditët e para.

Tjetër takim do të jetë ai në Moskë mes Rusisë dhe Sllovenisë, ndërsa në Dublin pritet një duel i fortë mes Irlandës dhe Francës.

Supersport shkon edhe në kontinentin Amerikan në ku Kosta Rika në ora 03:00 të së dielës luan me Uruguajin për një vend në Afrika e Jugut 2010.

Vend në programacionin e së shtunës në Supersport zënë edhe miqësoret e luksit. Brazil-Angli dhe Spanjë-Argjentinë mjafton që të shohësh më të mirën e futbollit ose përfaqësueset që janë pretendete për të fituar Kupën e Botës 2010./tvklan.al