Shpërthimi si pasojë e gazit të lëngshëm, i regjistruar paraditen e së hënë në qytetin e Korçës, fatkeqësisht nuk është rasti i vetëm.
Për të parandaluar një situatë të tillë televizioni Klan në mënyrë sistematike javët e fundit ka transmetuar me shqetësim kronika, të cilat hidhnin dritë mbi mënyrën skandaloze të tregtimit të gazit të lëngshëm në vend, duke nëpërkëmbur rregullat më bazike të sigurisë teknike.
Ekspertët e fushës pohojnë se ligji ndalon mbushjen e bombolave të gazit në prani të qytetarit dhe se një gjë e tillë duhet të kryhet vetëm nga kompanitë e licencuara pranë qendrave të ngritura larg zonave të banuara.
Por siç shihet edhe nga këto pamje të cilat hasen rëndom në rrugët e kryeqytetit, bombolat e gazit mbushen pranë pikave të karburantit, të cilat duhet t’u shërbejnë vetëm automjeteve.
Gjashtë prej këtyre pikave janë kallëzuar penalisht edhe nga Avokati i Popullit. Po ashtu gazi i lëngshëm tregtohet në vende të pa përshtatshme duke neglizhuar rregullat e sigurisë teknike, si temperaturën e ambientit, ajrosjen e të tjera.
Një situatë e tillë kaotike dhe me rrezikshmëri të lartë për jetën e qytetarëve siç po dëshmojnë rastet e fundit, duket se është rezultati i mungesës së bashkëpunimit mes Inspektoratit Qendror Teknik, i cili ka për detyrë sigurinë në tregun e gazit në vend dhe e pushtetit lokal, i cili licencon aktivitetin dhe jep lejen e ndërtimit./tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro