Pas 5 vitesh shërbim paqeruajtës në Irak, trupat ushtarake shqiptare kanë mbyllur me sukses misionin e tyre. Ishte viti 2003 kur 70 komando shqiptare shkelën për herë të parë në tokën irakiane për t’iu bashkuar forcave amerikane dhe aleatëve të saj.
Që në misionin e parë detyra për ta ishte e qartë: Të shoqëronin karvanin ushtarak, të shërbenin në pikat e kontrollit, të patrullonin në qytet, kryesisht Mosul dhe Bagdad, të kontrollonin objektet, të siguronin ruajtjen e qetësisë dhe rendit publik, të mundësonin sigurinë e bazës, shtabit, stacionit të trenit si dhe patrullim brenda dhe jashtë perimetrit të bazës.
6 muaj më vonë, misioni do të zëvendësohej nga kontingjenti i dytë, proces i cili zgjati në të njëjtën mënyrë deri në kontingjentin e 12 i cili mbylli me sukses detyrën ushtarake në Irak.
Që prej periudhës 2003-2004, numri i trupave u rrit nga 70 në 120, në total numërohen plot 1338 trupa që kanë dhënë kontributin e tyre në mbështetje të koalicionit “Liria e Irakut”, duke u shpërblyer më mirënjohje dhe vlerësim për kapërcimin e një misioni 5-vjeçar pa humbje dhe incidente.
Përveç atij rreth 4 viteve më parë, ku 2 komando u plagosën lehtë gjatë një sulmi, objektivi i të cilit nuk ishin ata. Operacionet më të vështira për trupat tanë në Irak janë konsideruar hyrja nga veriu i Kuvajtit në Bagdad, një rrugë prej 600 km, me plot rrezik dhe kërcënim si dhe shoqërimi i karvanëve ushtarakë për daljen nga zona e rrezikshme e Bagdadit./tvklan.al