Sali Berisha: “Lëvizja “Nano ik” të vazhdojë pa ndërprerë në mbarë vendin. Përvjetori i demokracisë në Shqipëri të jetë edhe data e protestës madhështore kombëtare në Tiranë. Të arkëtohet një memorandum për të paraqitur para qytetarëve shqiptarë dhe komunitetit ndërkombëtar, kërkesat e lëvizjes “Nano ik” si: formimin e një qeverie të përkohshme me objektiva të caktuara. A. Përgatitjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, reformën e kodit zgjedhor, balancimin e kodeve zgjedhore, përgatitjen e listave të zgjedhësve, përfundimin e reformës së ndarjes administrative territoriale të vendit”.

Ky është përfundimi i tryezës së opozitës në kuadër të lëvizjes “Nano ik”. Vazhdimin e protestave intensive e ka mbështetur edhe kryetari i Partisë Demokristiane Nikollë Lesi.

Sipas tij protesta të fillojë te sheshi “Nënë Tereza” duke përfunduar në sheshin “Skënderbej”, të ulur të gjithë para kryeministrisë për të kërkuar në mënyrë paqësore largimin e kryeministrit Nano.

Nikollë Lesi: “Të gjithë protestuesit që janë të fortë fizikisht në kuptimin jo për të bërë duel me qeverinë, të ulemi në shesh, një natë, dy netë, tre netë, aty në mënyrë paqësore para zyrës së kryeministrit deri te hyrja e presidentit Moisiu”.

Kryetri i Partisë Republikane Fatmir Mediu përsëriti idenë e tij për krijimin e një qeverie të përkohshme në mënyrë që të përcaktojë objektiva të qarta pas rrëzimit të  pushtetit të Nanos.

Fatmir Mediu: “Duhet nga kjo tryezë të ndërtohet një grup konkret pune, i cili duhet të materializoj të gjithë idetë dhe projektet që ne do të hedhim në diskutimet tona të përbashkëta de ti bëjë prezentë si në opinionin publik shqiptar edhe në opinionin ndërkombëtar dhe më tej të vazhdoj besoj edhe me diskutime më konkrete duke negociuar brenda Shqipërisë dhe jashtë Shqipërisë për ndërtimin e një qeverisje të përkohshme në mënyrë që të arrijmë atje, në ndryshimin e qeverisë me zgjedhje të lira”/tvklan.al