Me gjithë zgjerimin e tryezës edhe me përfaqësuesit e delegacionit të Këshillit të Evropës pasditen e së hënës takimi mes përfaqësuesve kryesorë të tryezës politike Topi-Berisha-Rama nuk prodhoi zgjidhje.

Ajo çfarë dihet me siguri është fakti se është folur me propozime konkrete. Kështu delegacioni i asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës ka propozuar si variant për zgjidhje të ngërçit politik kthimin e opozitës në parlament, ngritjen menjëherë më pas të komisionit hetimor parlamentar për zgjedhjet dhe dërgimin për interpretim në Gjykatën Kushtetuese dhe komisionit të Venecias të kushtit të vendosur nga Partia Socialiste për hapjen e kutive të votimit.

Ky propozim që shkon në sinkron edhe me rezolutën e asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës, e cila shprehet për një zgjidhje kushtetuese të situatës politike është pranuar nga mazhoranca, por të njëjtat burime brenda takimit thonë për TV Klan se kryetari i Partisë Socialiste e ka refuzuar këtë variant duke i sjellë pas dy orë e gjysmë bisedimesh palët në të njëjtën pikë, atë të mungesës së një rezultati e për rrjedhojë zgjidhje për situatën politike.

Zyrtarisht presidenca njoftoi vijimin e negociatave të martën në përpjekje për të gjetur pikëtakimin e mundshëm mes palëve.

Krahas vazhdimit të negociatave zyrtarisht është komunikuar dhe një konferencë për shtyp gjatë paradites e komunitetit presidencial të asamblesë parlamentare të këshillit të Evropës./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle