Një tunel pritet të hapet në gadishullin e Karaburunit në Vlorë duke i dhënë jetë një traseje të re rrugore e cila do të shmange përfundimisht për automjetet kalimin e vështirë të qafës së Llogarasë.

Detajet e projektit që është drejt përfundimit i zbuloi për Televizioni Klan Zv/Ministri i Transporteve, Ernest Noka.

Bëhet fjalë për një tunel i cili do të përshkojë gadishullin e Karaburunit mes përmes, duke nisur nga ana lindore në Orikum, e dalë në atë perëndimore, në një zonë totalisht të virgjër.

Ernest Noka: “Po mbarojmë projektin lindjes së zonës së Orikumit me zonën në faqen perëndimore të Karaburunit nëpërmjet një tuneli duke patur mundësinë që me këtë tunel të lidhim pastaj plazhet e Palasës dhe të Dhërmiut, duke anashkaluar në këtë mënyrë vështirësitë e ngjitjes dhe zbritjes së qafës së Llogarasë”.

Noka shton se po studiohen disa variante, ai për një tunel 300 metra të gjatë dhe një tjetër për një gjatësi që mund të shkojë në 1000 metra. Nëse do të zgjidhej ndërtimi i tunelit me gjatësi 1 kilometër, atëherë do të duheshin edhe 5-6 kilometra të tjera rrugë përgjatë bregut perëndimor të Karaburunit për të dalë në plazhin e Palasës, e vijuar më tej me Dhërmiun, duke spostuar kështu trafikun nga zona malore e Llogorasë në një rruge të re me parametra shumë më optimale për qarkullimin.

Ernest Noka: “Shumë shpejt do të realizohen duke e çuar rrugën në kushte topografike sipas standardeve evropiane pa pasur nevojë për ngjitje të vështira”.

Tuneli mendohet të hapet në këtë zone, në rrugën e re që vijon pas portit të jahteve në Orikum. Numri dy i Ministrisë së Transporteve thotë se ekziston vullneti për ta financuar këtë vepër me paratë e buxhetit, por pa përjashtuar edhe mundësinë e koncesionit. Përveçse do të përmirësonte ndjeshëm qarkullimin e automjeteve, tuneli do t’i hapte dritën jeshile zhvillimit të turizmit në plazhet pak të njohura të kësaj zone./tvklan.al

Gazetari: Fjorald Zguro