Kalimi i tunelit në Thirre dhe i gjithë autostradës Rrëshen-Kalimash nuk do kushtëzohet nga aplikimi i ndonjë takse për automjetet.
Ministria e Transporteve përgënjeshtron zërat që qarkullojnë për vendosjen e taksës për qarkullimin në këtë aks rrugor.
Numri dy i kësaj ministrie, Ernest Noka, deklaroi për TV Klan se Ministria e Transporteve si autoriteti përgjegjës, nuk ka kërkuar vendosjen e asnjë takse të tillë.
Noka shton se autostrada Durrës-Kukës-Morinë është një vepër publike dhe jo një koncesion, si e tillë nuk ka sens aplikimi i taksës për lëvizje.
Ernest Noka: “ Kjo ministri në varësi të kësaj … nuk ka iniciuar ndonjë taksë apo ndonjë pagesë për këtë rrugë. Të gjitha këto që fliten nëpër media të ndryshme janë manipulime të cilat i shërbejnë vetëm dezinformimit të publikut. Në asnjë rast në investimet publike. Në mënyrë absolute nuk ka ndonjë shembull në botë që investimet publike tu vendoset ndonjë taksë ekstra nga ajo taksë e cila natyrisht mblidhet nëpërmjet të gjithë taksave dhe shkon në fondin e rrugëve.”
Aktualisht lëvizja në tunelin e Thirrës është pezulluar për pak javë për automjetet. Shkak është bërë një problem paqëndrueshmërie me masivin shkëmbor i shfaqur në mes të galerisë./tvklan.al
Gazetari: Fjorald Zguro