Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Hysen Domi, kandidati aktual i Bashkisë Elbasan, ka marrë një bashki të bunkerizuar nga Berisha, ndërsa tani ajo është e të gjithëve. Kështu është shprehur ish-zv/kryeministri Ilir Meta gjatë një takimi që zhvilloi me elektoratin e Elbasanit në mbështetje të kandidatit socialist Hysen Domi. Ai është shoqëruar nga deputetët Dedja e Dokle, por jo nga prefekti i Elbasanit Qazim Sejdini. Meta e ka cilësuar kandidatin Domi, si simbol të përkushtimit për ndryshimin e faqes së këtij qyteti.
Ilir Meta:- “Për të pasur një qytet sa më të bukur, një qytet sa më pranë traditave të tij, një qytet sa më pranë atyre ritmeve që e çojnë Elbasanin dhe gjithë Shqipërinë drejt BE. Ne besojmë se Hysen Domi ia ka arritur këtij qëllimi”.
Ilir Meta ka ftuar qytetarët elbasanas që të votojnë edhe njëherë për kryetarin e bashkisë së tre viteve që do të pasojnë.
Edhe socialdemokrati Skënder Gjinushi ka prezantuar kandidatin për kryetar të minibashkisë në Kombinat Bektash Bajrami. Më tej ai ka vazhduar takimet në komunën e Bubullimës në Lushnje, ku ka prezantuar kandidatin Vangjel Bardho.
Në takimet e kryetarit socialdemokrat Gjinushi është evidentuar transformimet e bashkive dhe komunave nën drejtimin e qeverisjes së mazhorancës së majtë, duke nxjerrë në pah dhe kontributin e drejtpërdrejtë të socialdemokratëve. Kryetari Gjinushi ka sjellë si shembull Tiranën, e cila ka rehabilituar shkatërrimin e qeverisjes së mëparshme. Fitorja e socialistëve dhe socialdemokratëve të cilët do të qeverisin Shqipërinë në parlament, do të sjellë sipas Gjinushit, integrimin europerëndimor.
Me Gramshin spekulohet sikur është bastion i së majtës, por realisht ju jeni të vetvetes. Kështu i është drejtuar elektoratit kryetari i PLL Ekrem Spahia në qytetin e Gramshit. Ai ka prezantuar këtu kandidatët për njësitë vendore./tvklan.al
Gazetare – Holta Zhiti