Në daljen e tij të parë për mediat ministri i Turizmit, Rinisë Kulturës dhe Sporteve Ardian Turku ka preferuar të flasë për sportin dhe pikërisht për çështjen delikate të Komitetit olimpik.
Ministri Turku ka sqaruar për rreth 15 minuta këto që u thanë në takimin e të martës me përfaqësuesit e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe ka rikonfirmuar frymën e bashkëpunimit. Pasi ka dënuar edhe ai dhunën në asamblenë e 6 dhjetorit të shkuar, ministri Turku ka mbajtur një qëndrim korrekt duke treguar qartë se nuk mban anën e asnjë pale aktore në konfliktin për presidencën e Komitetit Olimpik.
Përgjigja e tij do të vijë pasi të vlerësohet gjendja bashkë me ndihmësit, por do të jetë një përgjigje duke u bazuar në ligj.
Ardian Turku: “Këto njerëz të asamblesë së zakonshme a janë njerëz që duhen respektuar dhe që kanë vepruar me mend në kokë për tu mbledhur në këtë asamble të jashtëzakonshme dhe me bindje të plotë apo ka që janë të imponuar dhe a mund të imponohet një 82 % apo jo. Në një moment të caktuar i thash atyre që kaq mjafton të rrëzohet një qeveri e çdo vendi dhe ky përbën një shqetësim për mua. Unë kam vetëm një tagër ligjor, që mbi bazën e dokumentacionit të dorëzuar nga asambleja të kthejë një përgjigje për çfarë aty kërkohet dhe një përgjigje ligjore e cila ka një afat ligjor, sipas kuadrit ligjor shqiptar. Nganjëherë kuadri ligjor na detyron të marrim vendime që jo të gjithë palët i kanë qejf.”
Ndërkombëtarët që kanë dëgjuar të gjithë të interesuarit për çështjen e KOKSH-it pritet të ndërtojë një raport dhe më pas të vendoset një datë tjetër për të zgjedhur drejtuesit e Komitetit Olimpik./tvklan.al
Gazetar: Erion Todhe