Rragami, ky vend, mrekulli e natyrës dhe Zotit që gjendet vetëm 13 kilometra larg qytetit të Shkodrës ka marrë një hov zhvillimi 3 vitet e fundit. Falë dëshirës për të zhvilluar këtë zonë, banorët dhe jo vetëm kanë promovuar këtë pikë turistike, dukë bërë që sot të tërheqë me mijëra turistë përgjatë gjithë viti.
“Nuk është hera e parë në Shqipëri por në këtë zonë, është hera e parë që vij. Është shumë bukur këtu, gjithçka është e freskët këtu. Njerëzit janë shumë të mirë shumë miqësorë,” tha një turist.
“Po është hera e parë që vij këtu, njerëzit janë shumë të këndshëm këtu. Do të doja të vija këtu çdo ditë,” u shpreh një tjetër.
“Është hera e parë që vij këtu, kam ardhur me të dashurën dhe me familjen time. Shqipëria ka ndryshuar shumë. Problemi më i madh këtu është se nuk paguajmë dot me kartë krediti. Njerëzit janë shumë miqësorë këtu,” tha një tjetër turist.
Ndërkohë që listës së shërbimeve në këtë zonë, tashmë i shtohet edhe udhëtimi me varkë. Amortizimi i rrugës së Komanit, nxiti sipërmarrësit në këtë zonë të krijojnë një linjë ujore për transportin e turistëve që duan të vizitojnë edhe Komanin dhe lumin e Shalës. Titi Ahmataj, sipërmarrës në Rragam dhe ideator i kësaj linje ujore tregon se si lindi ideja për të sjellë një risi të tillë
Titi Ahmataj, sipërmarrës në Rragam: Kapaciteti i varkës është 52 persona. Çdo gjë është brenda standardit. Kostoja është shumë e madhe, por shpresojmë që t’ia dalim me anën e punës. Ne kemi shpresë sepse duke e parë se rritja e turizmit është hera e parë që ndodhem në Shqipëri, është diçka shumë ndryshe dhe jam i sigurt që do të ketë sukses.
Ndërkohë që pozitive ky transport përmes varkave shihet edhe nga menaxherët e bizneseve në zonë, turistët e të cilëve e kanë më të lehtë mbërritjen në destinacion.
Gjon Gjeka, menaxher: Vizitorët në fakt janë nga vendet më të ndryshme, duke filluar nga Australia, Kanadaja, ka shumë çekë dhe italianë, por pa harruar dhe shqiptarë të Dardanisë apo të pjesës së Maqedonisë së Veriut dhe vizitorë të zakonshëm që janë ditorë shkodranë kryesisht apo nga pjesa tjetër e Shqipërisë.
Udhëtimi me varkë për në Koman zgjat rreth 60 minuta, ndërkohë që pamja që të ofrohet gjatë hundimit është e jashtëzakonshme.
Vizita mund të përqendrohet edhe në ishujt përreth të cilët kanë histori qindravjeçare. Po ashtu edhe në lumin e Shalës, pasi tashmë udhëtimi përgjatë rrugës tokësore është totalisht e panevojshëm. “Mjelma 1” është çdo ditë në dispozicion të grupeve të ndryshme të turistëve, për një eksperiencë të pakrahasueshme.
Klan News