Shpërthimi i bombolave të gazit në qytetin e Korçës mund të ishte evituar nëse do të ishin respektuar kushtet e sigurisë teknike dhe bashkia e këtij qyteti do të kishte marrë parasysh dokumentet e plotësuara nga inspektorët për paligjshmërinë e këtij aktiviteti.

Drejtori i Inspektoratit Qendror Teknik në Tiranë shprehet se aktiviteti i mbushjes dhe shitjes së bombolave ishte i paligjshëm.

Ilir Kurti: “Bëhet fjalë për një subjekt që është i paligjshëm edhe me akt ndalimi nga inspektorati, edhe për mbushje të paligjshme bombolash jashtë qytetit të Korçës. Përsa i përket aksidentit nga informacionet që kemi 50% duhet të jetë e qëllimshme dhe 50 % është pikërisht elementi i pakujdesisë.”

Ngjarja e Korçës rikthen edhe njëherë në vëmendje rrezikun e shpërthimit të bombolave të gazit kur ato tregtohen në ambiente të papërshtatshme siç janë dyqanet ushqimore apo në rrugë. Bombolat e gazit në kryeqytet mund ti gjesh kudo nëpër dyqane dhe mbi të gjitha vetë tregtarët nuk kanë asnjë informacion mbi mënyrën se si duhet të trajtohen dhe ruhen ato.

Problemi i tregtimit të gazit të lëngshëm është prezent edhe në qytetin e Durrësit. Shitja e këtij produkti në vende të papërshtatshme dhe jashtë çdo norme dhe sigurie teknike rrezikon jetën e banorëve të qytetit bregdetar.

Vetë qytetarët janë të vetëdijshëm për rrezikun që bart tregtimi i gazit poshtë banesave të tyre , duke patur parasysh se bombolat e gazit janë të amortizuara.

Qytetari 1: “Bombolat duhet të kontrollohen nga shteti, të ketë një kontroll të rreptë sepse janë shumë të vjetruara unë i shoh.”

Qytetari 2: “Paraqesin rrezikshmëri në çdo kohë. Ka vende të posaçme për tregtimin e tyre dhe mendoj se në vendet ku janë të caktuara aty duhet të tregtohen.”

Qytetari 3: “Të gjitha janë jashtë rregullave të sigurimit teknik. Asnjë bombol nuk duhet të trajtohet poshtë ambienteve të banuara.”

Qytetarët ngrenë zërin duke kërkuar ndihmën e autoriteteve kompetente për të mos lejuar që kjo situatë të vazhdojë të mbizotërojë.

Edhe në qytetin e Vlorës për tregtimin e gazit nuk respektohen normat e lejuara të sigurisë. Bombolat e gazit tregtohen në mes të rrugës, në brendësi të lagjeve apo poshtë hyrjeve të pallateve, duke rrezikuar kështu jetën e komunitetit.

Të ekspozuara në diell dhe jashtë çdo standardi sigurie ato përbëjnë një shqetësim real për qytetarët vlonjat të cilët ankohen për mungesën e sigurisë në tregtimin e këtyre bombolave, kryesisht nga tregtarët me pakicë.

Qytetarja 1: “Nuk ka asnjë lloj sigurie këtu.”

Qytetarja 2: “Keq është të marrë masa qeveria për ta.”

Qytetarja 3: “Po si nuk është e rrezikshme se një bombol do hedhë të gjithë njerëzit në erë. Ju urdhëro ti shikoje e kanë vënë atje, dyqani poshtë ne shtëpinë lart, si nuk është e rrezikshme.”

Shefi i policisë zjarrfikëse të qarkut të Vlorës Petrit Çarçani  edhe pse pohon se pa patur kontrolle të vazhdueshme për pikat e tregtimit të gazit të lëngshëm, nuk mohon dhe mungesën e incidenteve.

“Në fshatin Nartë para dy muajsh kur pati një rast zjarri dhe me ndërhyrjen e mjeteve të vetë firmës, dhe me mbështetjen e zjarrfikësve të Vlorës u bë e mundur fikja e zjarrit, pasi do ishte një katastrofë e madhe.”

Në Shkodër tregtimi i gazit të lëngshëm duket se është vendosur nën kontroll. Të paktën këtë raporton drejtoria e zjarrfikësve të këtij qyteti. Komandanti i zjarrfikësve inxhinieri Ilir Kopliku thotë se gjatë kontrolleve të ushtruara kanë arritur të mbyllin 12 pika të cilat tregtonin gaz në afërsi të qendrave të banueshme. Dy nga të cilat kanë patur edhe cisterna./tvklan.al