Kriza ekonomike globale nuk mund të lërë mënjanë edhe industrinë e turizmit, megjithatë Shqipëria mund të përfitojë nga kjo situatë nëse do të investojë në rritjen e cilësisë së shërbimeve.
Salvatore Messina, eksperti italian i turizmit i mëshon idesë se biznesi turistik vendas duhet të ndërgjegjësohet për ofrimin e një produkti cilësor e të konkurrueshëm në çmim me vendet e rajonit.
Salvatore Messina: “Turistët janë gjithmonë e më shumë të informuar dhe përzgjedhin në bazë të një raporti cilësi çmim. Mendoj që Shqipëria duhet të ndërhyjë për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve hoteliere. Nuk mjaftojnë vetëm bukuritë natyrore apo resurset kulturore duhen investime në shërbimet ndaj turisteve. Duhet të kemi guximin të themi që një pronar hoteli nuk mund te jetë edhe drejtori, yjet e hoteleve duhet të jenë njësoj të barasvlershme në të gjithë vendin. Duhet të investojnë në cilësinë e burimeve njerëzore që është edhe investimi më i vështirë.”
Referuar parashikimeve të organizatës botërore të turizmit, Shqipëria gjatë viteve në vijim do të ketë nevojë për 3 mijë specialistë të turizmit në vit dhe për këtë Messina thotë se po punohet për formimin e studenteve. Messina e krahason turizmin shqiptar me një makinë Ferrari, por që ende nuk e ka shkelur gazin deri në fund.
Salvatore Messina: “Shqipërinë turistike e shoh si një Ferrari, por që akoma ecën ngadalë, e shoh si një mundësi të madhe jo vetëm për shqiptaret, por edhe për rajonin pasi është i vetmi vend në Mesdhe ku raporti mes ambientit, kulturës dhe turizmit mund të shpëtohet, nëse i humbim këto burime gjithçka merr fund.”
Messina është i mendimit se reklama më e mirë është ajo e përcjellë nga një turist te tjetri.
Salvatore Messina: “Nuk do të jenë vetëm reklamat që do te sjellin më shumë turistë do të jenë në fakt informacionet që ju janë përcjellë turisteve që ju kane vizituar të cilët mund të thonë po Shqipëria është një vend i sigurt, i bukur ku ta ka enda të kalosh pushimet./tvklan.al
Gazetar Fjorald Zguro