Teksa flukset turistike gjatë kësaj periudhe po shtohen nga veriu në jug, një rol të rëndësishëm kanë edhe udhërrëfyesit. Vetëm pak ditë më parë janë certifikuara 55 guida turistike apo udhërrëfyes në të gjithë vendin.
Sipas Drejtores së Turizmit, Herida Duro vitet e fundit në vendin tonë janë certifikuar mbi 760 udhërrëfyes profesionistë që shërbejnë në sektorin e turizmit.
Herida Duro, drejtore e Përgjithshme e Turizmit, MTM: Vetëm për këtë vit ne kemi mbi 178 operatorë të licencuar prej 2019 deri në vitin 2024. 769 udhërrëfyes janë të certifikuar tashmë me certifikatën e njohur prej Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, një proces tashmë 4-vjeçar, pothuajse 5-vjeçar në rritje gjithmonë me interes të shtuar, për vetë faktin sepse me rritjen e turistëve është edhe profesioni më i kërkuar tashmë. Të gjitha grupet e organizuara kërkojnë që të kenë sot guida të licencuara, guida profesioniste dhe mbi të gjitha guida që mund të jenë në nivel kombëtar, lokal apo edhe i specialiteteve të tjera.
Edhe të rinjtë e të rejat e guidave lokale kanë shprehur interesin që të jenë të licencuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, për të udhëhequr grupet e turistëve në zona të ndryshme.
Herida Duro, drejtore e Përgjithshme e Turizmit, MTM: Guidat lokale nuk janë më të pakta, për fat të mirë të rinjtë të cilët jetojnë dhe veprojnë në terrene ku i njohin shumë mirë kulturën, historinë apo edhe zonat e ndryshme malore apo historike-kulturore, tashmë kërkojnë që të jenë pjesë e një kontributi në rajonin e tyre, atje ku ata kanë vendosur të jetojnë.
Për shkak të tipologjive te shumta te turisteve, edhe gjuhët e kërkuara janë të larmishme.
Herida Duro, drejtore e Përgjithshme e Turizmit, MTM: Gjuhët kryesore janë frëngjisht, italisht dhe anglisht, janë më pas edhe gjuhët e tjera spanjisht dhe gjermanisht, por deri në gjuhët arabe dhe kineze që gjithmonë dhe më shumë vërejnë që kemi një rritje të numrit të turistëve nga këto zona të largëta.
Për të qenë një udhërrëfyes i licencuar mjafton të keni arsimin e mesëm ose të lartë, të keni njohuri të gjuhës së huaj, minimalisht niveli B2 dhe të ndiqni një kurs të specializuar të akredituar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.
Klan News