Zonat e thella malore të juglindjes, me natyrë mahnitëse dhe biodiversitet të larmishëm po zgjojnë kuriozitetin e vizitorëve që vijnë edhe nga kontinente të tjerë. Turistë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët kanë zgjedhur Shqipërinë për pushime, përfshinë në udhëtimin e tyre edhe Strelcën,një nga fshatrat malorë të bashkisë së Maliqit.
“Jemi nga Amerika, New Hampshire. Për ne është hera e parë në Shqipëri. Kemi vizituar dje liqenin e Prespës, udhëtuam me varkë dhe hëngrëm peshk për drekë me familjet atje. Ishte një udhëtim i mrekullueshëm. Sot do të nisemi për në Berat, kemi vendosur të shëtisim në Shqipëri për 10 ditë, pra jemi në gjysmë të udhëtimit,” tha një turist.
“Ne jemi nga Shtete e Bashkuara të Amerikës, kemi ardhur një grup prej katër personash. Po qëndrojmë prej ditësh këtu në Shqipëri, kemi qenë në Liqenin e Shkodrës pranë Malit të Zi. Shkuam dhe në Koman ku notuam,” tha një tjetër turist.
Natyra ushqimet tradicionale dhe mikpritja e bëjnë të paharrueshëm udhëtimin e vizitorëve të huaj.
“Kemi provuar disa ushqime, kryesisht ato tradicionale. Na kanë pëlqyer po ashtu edhe vera që prodhohet këtu,” shtoi turisti.
Zonat e thella malore të juglindjes,të cilat preferohen sidomos nga të huajt, janë bërë pjesë e guidave turistike, duke zbuluar mundësi të reja për zhvillimin e ekoturizmit.
Klan News