Në 1 Qershor “Stop” transmetoi denoncimin e një qytetari, që pretendonte se në zyrën e Postës Shqiptare në Kuçovë jepen pensionet edhe pa patur prokurë, madje pa kërkuar as dokument identifikimi të personit, që e tërheq.
“Stop” shkoi për të verifikuar situatën dhe me lehtësi tërhoqëm pensionin e një pensionisteje, e cila nuk jeton në Kuçovë.
Gjithçka na u desh, ishin të dhënat e të moshuarës dhe numri i regjistrimit të pensionit. Pasi morëm pensionin e Majit, nuk u mjaftuam me kaq.
I kërkuam punonjëses së Postës edhe pensionin për Qershorin, kundrejt një pagese nën dorë. Sërish mundëm të merrnim edhe pensionin e Qershorit, duke paguar për të dy muajt 15 mijë Lekë të vjetra nën dorë.
Pasi bëmë “eksperimentin e suksesshëm”, i dorëzuam zonjës së moshuar pensionin për dy muajt, duke i dhënë edhe diferencën e “ryshfetit”.
Pas këtij transmetimi, Vjollca Xhaferraj, përgjegjëse e sektorit të shërbimeve financiare në drejtorinë e Postës, u shpreh, se punonjësja e Kuçovës, e cila shfaqej në video, është pezulluar nga puna.
Veç kësaj është ngritur një grup kontrolli dhe po hetohet në atë zyrë. Në përfundim të kontrollit, do të merren masat administrative për punonjësit e përfshirë në këtë skemë abuzive.
“Sa i përket rastit abuziv që u transmetuar në emisionin tuaj, Posta Shqiptare mori masa menjëherë për pezullimin e punonjëses përgjegjëse në Zyrën Postare Kuçovë dhe në kuadër të zbardhjes së çështjes u ngrit grupi i kontrollit për të verifikuar në detaje çështjen dhe gjithë personat përgjegjës. Pas zbardhjes së çështjes do të merren masa administrative për të gjithë punonjësit që mund të jenë përfshirë në këtë rast abuziv”, tha ajo./tvklan.al