Kristjan Asllani ishte në qendër të kritikave, pas derbit të humbur nga Interi, në finalen e Superkupës ndaj Milanit.

Megjithatë mesfushori shqiptar, heshti të gjithë kritikët me një paraqitje të shkëlqyer ndaj Venezia-s, duke qenë vendimtar te goli i fitores për zikaltërit.

Pas ndeshjes, Asllani u shpreh se kritikat kanë qenë të ekzagjeruara, por theksoi se është mësuar. Ai u shfaq shumë i lumtur, për mbështetjen që i kanë lojtarët e tjerë te Interi.

“Për mua flitet shumë gjithmonë, jam mësuar me këtë. Ka ndodhur në të kaluarën me Monzën dhe tani në derbi. I kam fshirë rrjetet sociale dhe kam lexuar më pak. Jam i lumtur që kam shumë njerëz këtu në klub që besojnë te mua.

Kritikat janë të ekzagjeruara, por nuk është problem. Na duhej të përgatiteshim për këtë ndeshje dhe të rikuperoheshim moralisht. Më vjen mirë që ia dola. Ishte e rëndësishme të merrnim tre pikët dhe jam i kënaqur për këtë.

Derbi i humbur na lëndoi, por kemi ndeshje të rëndësishme përpara. Ishte e drejtë ta harronim atë ndeshje dhe të riktheheshim. Jemi të lumtur për fitoren, sepse ishte një ndeshje e rrezikshme. Nuk bëmë asnjë gabim. Gjatë javës kam pasur besim të madh. Jam me fat që kam këtë grup afër meje. Këto momente më bëjnë të lumtur”, u shpreh Asllani. /tvklan.al