Prokuroria e Posaçme ka apeluar lirimin e kreu të Dhomës së Avokatisë në Korçë Arben Lena nga qelia në masën arrest në shtëpi.

Gazetari i Klan News, Besar Bajraktari, raporton se prokurori i posaçëm Elvin Gokaj kundërshton vendimin e gjyqtarit të Shkallës së Parë Erion Çela, duke dërguar çështjen sërish në Apel.

Kujtojmë se shumica e personave që kanë dhënë paratë për të ndikuar në një vendim gjyqësor janë në burg, ndërsa marrësi që sipas akuzës është avokati Lena, u la me masë arresti shtëpie.

Vetëm pak ditë më parë Apeli i Posaçëm vendosi ta lërë në fuqi masën arrest në burg, ndërsa ajo u ndryshua nga gjyqtari Çela, një vendim që sipas akuzës nuk është i drejtë.

Kreu i Dhomës së Avokatisë në Korçë Arben Lena i akuzohet për ushtrim të ndikimit të paligjshëm lidhur me çështjen e një të arrestuari për akuzën e trafikimit të refugjatëve të cilin Lena e mbronte.

Avokati ka mohuar akuzat, duke pretenduar se arrestimi i tij është i pabazuar. Sipas Prokurorisë Speciale Arben Lena ishte pjesë e grupit të 5 personave që tentuan të korruptonin me 5 mijë Euro gjyqtarët e Apelit të Korçës për të liruar nga paraburgimi Bledar Koziçin, i arrestuar për trafikim refugjatësh.

Skema e dyshuar korruptive u godit më 26 Dhjetor të vitit 2023. Sekserët Nikoll Hafesllari dhe Nikoll Jesku do të merrnin 5 mijë Euro nga familjarja e të arrestuarit, Artiana Kozici, ndërsa në skemë sipas SPAK është e përfshirë edhe avokatja Dajana Kodra.

Në arrest në burg në fund të vitit të kaluar u lanë Hafesllari, Jesku dhe Kuziçi, Dajana Kodra në arrest shtëpie, ndërsa Artiana Kozici e Dritan Tabaku në detyrim paraqitje.

Burime konfirmojnë se nën hetim është edhe një gjyqtar i Apelit të Korçës para se ky institucion të shkrihej me hartën e re gjyqësore.

/tvklan.al