Një nga momentet më emocionuese për prindërit është padyshim kur ata mësojnë për ardhjen e një fëmije në jetën e tyre, por akoma edhe më emocionuese është momenti kur zbulojnë gjininë e bebes. E kthyer tashëm në një trend vitet e fundit, prindërit organizojnë një nga festat më të ndryshme dhe më të çuditshme për të zbuluar gjininë e bebes së tyre.
E ftuar këtë të shtunë në emisionin “Rudina” në Tv Klan, këngëtarja Marjona Metohu, tregoi për festën e saj të “gender reveal” në Maldive dhe pse zgjodhi ta bëjë pikërisht atje.
Rudina Magjistari: Dua të ndalem tek historia e Marjonës për ta kombinuar pak, sepse ti i takon gjeneratave të fundit që ke bërë një “gender reveal” të vërtetë, madje jo në Shqipëri, në Maldive. Pse zgjodhët në Maldive?
Marjona Metohu: Tani, ndryshe nga çfarë folëm këtu që, ishte dhe kjo dëshira e shumë njerëzve për ta ndarë me familjarë, me rrethin shoqëror, me të gjithë të afërmit. Edhe ne e kishim këtë dëshirë normalisht dhe ky ishte plani i parë, por duke qenë që ishte plani për t’u bërë një udhëtim i tillë andej, menduam pse mos të bëjmë diçka të veçantë që të ngelet kujtim si për djalin, por edhe për ne. Mendoj pastaj, pjesa tjetër ku do mblidheshim e do gëzonim me familjen apo shoqërinë do ishte momenti i lindjes, që ne gjatë gjithë kohës do ndodheshim këtu.
Metohu u shpreh se zarfin ku konfirmohej gjinia e bebit ka qenë mbyllur nga farmacistja dhe ka qëndruar ashtu gjatë gjithë udhëtimit.
Rudina Magjistari: Ishte momenti kur bashkëshorti mësoi që ishte djalë. Po ju vërtetë nuk e dinit aty?
Marjona Metohu: Jo, as unë as ai. Kjo është 100%… unë e kam pasur zarfin në tavolinën e shtëpisë dhe madje dhe madje…
Rudina Magjistari: Domethënë kishe bërë ekon para se të niseshit në Maldive?
Marjona Metohu: E kam zbuluar që në javën e pesëmbëdhjetë.
Rudina Magjistari: Ishit në Tiranë?
Marjona Metohu: Po ishim këtu.
Rudina Magjistari: Por përgjigjen e more në zarf dhe zarfin nuk e hape?
Marjona Metohu: Përgjigjen e mora në zarf, kam shkuar tek një farmaciste dhe i kam thënë ta shkruaj në anglisht, sepse ata normalisht nuk do e kuptonin, edhe e kam mbyllur përsëri. Madje jam kthyer edhe me kurriz që mos ta shikoja shkrimin, sepse nuk doja të kuptoja lëvizjen e dorës. Edhe e kemi marrë në valixhe ashtu të mbyllur zarfin, derisa është hapur atje në atë moment.
Rudina Magjistari: Atje ia dorëzove kompanisë me të cilën do organizonit, do bënit festën, kështu që ata u organizuan, morën masat gati dhe ju të dy nuk dinit asgjë deri në momentin që shpuat tullumbacen.
Marjona Metohu: Jo absolutisht asgjë. /tvklan.al