Pashko Ujka nuk ka mundur t’i mbijetojë atentatit me armë zjarri të ndodhur këtë të hënë në Shkodër, duke ndërruar jetë në spital. Lajmi konfirmohet nga burime për gazetaren e Klan News në Shkodër, Emi Kalaja.

Ngjarja ndodhi rreth orës 18:15, në lagjen “Vasil Shanto”, pranë shtëpisë së Ujkës, ndërkohë që ai ishte i shoqëruar nga bashkëshortja e tij. 64-vjeçari mbeti i plagosur rëndë. Ai mori një plumb pranë shtyllës kurrizore dhe gjendja e tij u paraqit kritike që në fillim.

Shkaqet e kësaj ngjarjeje të rëndë mbeten të panjohura, po ashtu edhe autori. Autoritetet policore njoftuan se po punojnë për kapjen e tij.

Pashko Ujka ka qenë kryetar i komunës së Velipojës në vitet 2011-2015. Më parë ai ka qenë edhe deputet i Partisë Demokristiane. Ujka prej disa vitesh nuk ishte aktiv në jetën politike.

Ishte krah bashkëshortes kur u qëllua nga pas, gruaja nuk kuptoi gjë: Pashko Ujka ishte me bashkëshorten e tij kur u qëllua për vdekje pasditen e kësaj të hëne në Shkodër. Çifti i bashkëshortëve ishin pranë shtëpisë së tyre, në lagjen “Vasil Shanto”, kur një person ende i paidentifikuar e qëlloi ish-kreun e Komunës Velipojë me armë zjarri nga pas.

64-vjeçari dyshohet se u qëllua me armë me silenciator. Kjo pasi siç raporton edhe gazetarja Emi Kalaja, nga dëshmia paraprake që gruaja e tij ka dhënë, ajo është shprehur se nuk ka kuptuar asgjë. Ata po ecnin në këmbë, kur gruaja e pa të shoqin të binte përtokë. Madje duke qenë se kohët e fundit Ujka kishte pasur probleme shëndetësore ajo kishte menduar se nuk ishte ndjerë mirë./tvklan.al