Kjo është videoja që Kristjan Kelmendi dhe Marjan Kola paraqitën para trupit gjykues, me anë të së cilës fituan lirimin nga burgu. Ata do të qëndrojnë tashmë në arrest shtëpie, ndërkohë që autoritetet vijojnë hetimet për vrajsjen e ish-deputetit Pashko Ujka, më 29 Nëntor të vitit që lamë pas.

Gjykata në Shkodër ndryshoi këtë të martë masën e sigurisë, duke liruar nga burgu autorin e dyshuar të vrasjes Kristjan Kelmendin dhe bashkëpunëtorin e dyshuar të tij, Marjan Kola. Gjykata administroi pikërisht këtë video të siguruar nga gazetarja Emi Kalaja si provë të re, përmes së cilës pretendohet se autori i dyshuar i vrasjes së ish-deputetit dhe bashkëpunëtori i dyshuar ditën e ngjarjes kanë qenë në Kosovë.

Përveç kësaj videoje, Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër është në pritje edhe të disa provave të tjera të këtyre dy shtetasve që mund të jenë sërish video, por edhe fatura të ndryshme të blerjeve apo prova të tjera që mund të faktojnë se dy të dyshuarit kanë qenë në Kosovë ditën kur u vra ish-deputeti Pashko Ujka. Në seancën për masën e sigurisë më 4 dhjetor autori i dyshuar Kristjan Kelmendi dhe Marjan Kola kanë mohuar përpara gjykatës autorsinë e vrasjes duke thënë se ata kanë qenë në Kosovë./tvklan.al