Sulmi ndaj kryeministrit Thaçi në Deçan u dënua menjëherë nga presidenca, qeveria dhe nga ambasadat amerikane dhe britanike në Kosovë.

Presidenti Fatmir Sejdiu u bëri thirrje subjekteve garuese në zgjedhje dhe të gjithë qytetarëve që të jenë të përmbajtur dhe të vazhdojnë të tregojnë kulturë politike.

Fatmir Sejdiu: “Unë dëshiroj ta shikoj si një rezident të izoluar, unë besoj se do të ketë përmasa të tjera. Mbrëmë me të dëgjuar kam lëshuar një komunikatë … të përgjithshme që edhe aty ku mund të ketë nganjëherë tensione të caktuara që ato të bien. Arma më e fortë flas në kuptimin më të mirë të mundshëm për çdo njeri është arsyeja  dhe është në këtë rast edhe përzgjedhja e vota e qytetarëve.”

Ndërkaq qeveria ftoi nxitësit e dhunës që ndalojnë këto sjelle, të kërkojnë falje dhe të sillen si duhet me frymën e demokracisë.

Në reagimet e tyre ambasada amerikane dhe ajo britanike vlerësuan se me këto incidente shëmtohet fushata deri më tani demokratike dhe e qetë.

Ato kanë ftuar partitë politike PDK e AAK të tregojnë përmbajtje dhe të mos lejojnë eskalim të situatës.

Ndërkohë këto dy parti kanë akuzuar njëra-tjetrën për incidentin, derisa PDK-ja fajësoi Ramush Haradinaj se po e kriminalizon demokracinë, AAK-ja fajësoi Hashim Thaçi dhe partinë e tij se ka keqpërdorur dhe abuzuar nxënës të gjimnazit të Deçanit me moshë të mitur dhe kanë përdorur dhunë ndaj tyre në tubimin parazgjedhor në këtë komunë. Vetëm pa kohë pas sulmit ndaj eskortës së kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi në Deçan, policia arrestoi 3 persona si të dyshuar të mundshëm të involvuar në këtë rast, ndaj të cilëve është ngritur procedurë hetimore./tvklan.al