Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se ka ngritur aktakuzë ndaj 4 personave për vrasjen e 30-vjeçares Liridona Ademaj në Nëntor të vitit 2023, pas përfundimit të hetimeve.
Fillimisht, rasti ishte raportuar si “grabitje me pasoja të vrasjes”, por dy ditë më vonë, Policia e Kosovës njoftoi se lidhur me rastin ka arrestuar dy persona. Në mesin e tyre ishte edhe bashkëshorti i Liridonës, Naim Murseli.
Murseli, me të cilin Liridona jetonte në Suedi dhe kishte dy fëmijë, është në mesin e të akuzuarve për vrasjen e Liridonës. Tre të akuzuarit e tjerë janë Kushtrim Kokalla, Granit Plava dhe një personi i katërt, që nuk u emërua gjatë konferencës së Prokurorisë Themelore të Prishtinës.
Prokurorja e rastit, Javorka Perlinçeviç, tha se nuk mund të japë shumë detaje rreth aktakuzës, por shtoi se, gjatë kohës që jetonin në Suedi, Liridona dhe Naimi kishin “marrëdhënie të trazuara martesore”, si pasojë e të cilave erdhën edhe problemet pronësore”.
“Arsyet e tjera që kishte Naimi për të planifikuar dhe kryer këtë vrasje mund t’i mësoni në gjykatë kur të fillojë seanca kryesore”, tha Perlinçeviç, e cila tha gjetja e motivit kishte bërë që procesi i ngritjes së aktakuzës të merrte më shumë kohë.
Ndërkohë, në konferencën e mbajtur për këtë rast, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, tha ky rast ka qenë jashtëzakonisht i ndjeshëm dhe se janë zhvilluar hetime në shumë dimensione
“Kjo vepër penale është vepra penale e vrasjes së rëndë e kryer nga anëtari i familjes dhe e kryer në mënyrë dinake, andaj si e tillë presim nga Gjykata një dënim kapital”, tha Gashi.
Liridona Ademaj u vra në moshën 30-vjeçare, më 29 Nëntor të 2023-tës, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë.
Prokurorja e rastit, tha gjatë konferencës së 15 Janarit se Naim Murseli ka “planifikuar gjithçka”, ndërsa i quajti Murselin, Kokallën dhe Plavën “ekzekutues të drejtpërdrejtë” të Liridonës.
“Sa i përket ekzekutuesit të katërt, mendoj se nuk është etike të përmendet emri i tij, pasi ai nuk ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në kryerjen e veprës penale. Ai është përfshirë në këtë aktakuzë në një mënyrë të tërthortë dhe jo drejtpërdrejt në kryerjen e veprës penale”, tha Perlinçeviç.
Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka zgjatur disa herë masën e paraburgimit tre të dyshuarve për vrasjen e saj, Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës – për herë të fundit më 27 Dhjetor të vitit të kaluar.
Ndërsa, të akuzuarit të katërt në këtë rast, Gjykata Supreme ia kishte ndërprerë masën e paraburgimit, duke i mundësuar të mbrohet në liri. Ai ishte arrestuar më 9 Dhjetor, nën dyshimin se ia kishte shitur armën vrasësit.
Familja e Liridonës kërkuan rivarrosjen e trupit të saj në pranë varrezave të prindërve të saj, ndërsa aktivistët për të drejtat e grave kanë kërkuar që Liridona të mos identifikohej më me mbiemrin e bashkëshortit, por me atë të familjes së saj, Ademaj.
Zemërim të madh kishte shkaktur edhe fakti që burri i saj kishte qenë pjesë e ceremonisë së varimit.
Rasti i vrasjes së 30-vjeçares, nënë e dy fëmijëve, është dënuar rëndë në Kosovë dhe liderët politikë të vendit kanë kërkuar drejtësi për rastin e saj. Nga viti 2010 deri më tani në Kosovë janë vrarë rreth 60 gra./REL