Pothuajse 9 muaj pasi një djalë 2-vjeçar e gjysmë u zhduk në një fshat të vogël në Alpet Franceze, eshtrat e tij u gjetën nga një alpinist. Detektivët tani duhet të zbulojnë nëse vdekja e të voglit ishte aksident apo në qoftë se ai ishte viktimë e një krimi. Kryebashkiaku lokal, François Balique tha se ishte shumë i trishtuar për zbulimin dhe mendimet e tij ishin me prindërit e Emile.
“Do të duhet shumë kohë për t’u rikuperuar nga kjo ngjarje e rëndë,” tha ai për një radio franceze.
Zhdukja e pashpjegueshme e fëmijës në Haut-Vernet tronditi Francën Korrikun e kaluar. Prindërit e kishin lënë Emilin për të qëndruar në shtëpinë e pushimeve të gjyshërve të tij kur papritmas, ai u zhduk. Vetëm 25 persona banojnë në fshatin Haut-Vernet, ndërkohë që prindërit e të voglit nuk ishin aty kur ai u zhduk.
Fëmija u pa për herë të fundit i veshur me një bluzë të verdhë dhe pantollona të shkurtra të bardha, në 8 Korrik në orën 17:15 me kohën lokale dhe 2 fqinjë e panë atë duke ecur vetëm, por më pas thanë që e kishin humbur nga sytë.
Pas zhdukjes së djalit, Policia u lajmërua nga gjyshja e tij. Qindra njerëz iu bashkuan policisë së bashku me qentë nuhatës në një kërkim të nesërmen dhe dy gjyqtarë hetues u caktuan për këtë çështje. Zhdukja e Emile u bë shpejt një hetim penal për një rrëmbim të mundshëm, megjithëse detektivët nuk kishin asnjë pistë për atë që kishte ndodhur.
FOTO: Haut-Vernet, vendi ku Emile u zhduk
Të enjten e kaluar, hetuesit u kthyen në Haut-Venet dhe thirrën 17 persona, përfshirë anëtarët e familjes së Emile, fqinjët dhe dëshmitarët, për të rindërtuar pamjet e fundit para se djali të zhdukej. Hetimet franceze janë përqëndruar tek gjyshi 58-vjeçar i fëmijës, por avokati i tij tha se shpreson që hetuesit të mos humbasin kohë në këtë drejtim pasi dëmtojnë linjat e tjera të hetimit.
Sipas asaj që raporton BBC News, një grua gjeti eshtra në një zonë që policia tha se ishte kontrolluar disa herë nga banorët vendas, policia dhe helikopterët me kamera termike. Shkencëtarët mjeko-ligjorë njoftuan të dielën se ADN-ja përputhej me atë të Emile.
Policia po heton pse u shfaqën eshtrat pas kaq shumë kohësh. Sipas raporteve të fundit, një grua gjeti një kafkë në një zonë të pjerrët që nuk ishte e lehtë për t’u aksesuar dhe ia dorëzoi atë xhandarmërisë. Marie-Laure Pezant, një zëdhënëse e xhandarmërisë tha për një televizion francez se kockat mund të ishin vendosur atje nga një person apo edhe një kafshë, ose madje mund të ishin zhvendosur nga ndryshimi i kushteve të motit./tvklan.al