Këto pamje shfaqin dronët ukrainas që fluturuan mbi territorin e Rusisë, mëngjesin e kësaj të Diele. Ushtria ruse njoftoi shkatërrimin në ajër të 70 dronëve ukrainas përgjatë 3 orëve, që prej orës 7:00 të mëngjesit. 34 prej tyre u rrëzuan në kryeqytet.

Vala nuk shkaktoi të lënduar. Vetëm disa dronë shkaktuan dëme të vogla materiale në disa objekte ushtarake në Briansk. Ky sulm ishte hakmarrje për një valë prej 145 dronësh rusë që kryen gjatë natës, sulme në disa qytete të Ukrainës, përfshirë Kievin dhe Odesën ku pati disa të plagosur. 

Ndërkaq shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë britanike Antony Radakin tha se muaji i kaluar ishte më i përgjakshmi për ushtrinë ruse. Sipas përllogaritjeve të tij, çdo ditë u vranë ose u plagosën 1500 ushtarë rusë.

Me fitoren e Donald Trumpit, edhe qasja e aleatëve perëndimorë ndaj Ukrainës ka nisur të ndryshojë. Kryeministri polak Donald Tusk paralajmëroi për një armëpushim të pashmangshëm së shpejti në Ukrainë, teksa tha se pritet një tërheqje e Uashingtonit nga përfshirja në punët e këtij vendi. Kremlini tha se shihte sinjale pozitive për çështjen e Ukrainës, pas rikthimit të Donald Trump.

Ndërsa stafi i presidentit të zgjedhur shprehu distancim nga deklaratat e strategjistit republikan Bryan Lanza, i cili tha se mund t’i kërkohej presidentit të Ukrainës të mos këmbëngulte në rikthimin e territoreve dhe se Krimeja ishte e humbur.

Tv Klan