Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela ka raportuar sot në KLP, për vitin 2023. Ai theksoi se si pasojë e Hartës së Re Gjyqësore është reduktuar numri i prokurorëve, me vetëm 198 në total.


Teksa u ndal te gjendja e kriminalitetit në vend, ai dha shifrat sa i takon kallëzimeve apo procedimeve penale. Gjatë vitit që lamë pas, ka pasur një ulje me 9.4% të materialeve kallëzuese krahasur me 2022-in. Po ashtu janë ulur ndjeshëm edhe procedimet penale.

“Gjatë vitit 2023, në organin e prokurorisë janë trajtuar  55253 materiale kallëzuese që përbën një ulje prej 9,4 % në krahasim me vitin 2022. Janë ndjekur gjithsej 45715 procedime penale, që përbëjnë një ulje prej 5,2 % në krahasim me vitin 2022, nga të cilat 24095 janë procedime penale të regjistruara, me një ulje  prej 6,2 % në krahasim me vitin 2022 dhe 201 procedime penale të rifilluara, që tregon ulje prej 70 % në krahasim me vitin 2022. Janë mbartur 21011 procedime penale me një ulje  prej 3,9 % krahasuar me procedimet e mbartura në vitin 2022. Është vendosur mosfillimi për 9946  referime dhe kallëzime penale, që do të thotë një ulje prej 22,2 % në krahasim me vitin 2022. Gjatë vitit 2023 janë përfunduar 23419 çështje që përbën ulje prej 9,41 % të çështjeve të përfunduara krahasuar me vitin 2022, prej të cilave: 41,21 % janë dërguar për gjykim, 25,76 % janë pushuar, 30,04 % janë pezulluar dhe 2,99 % janë transferuar në prokuroritë kompetente.”

11401 të pandehur për një vit, për 9652 çështje të dërguara në gjykatë. Edhe në këtë aspekt, sipas Prokurorit të Përgjithshëm vihet re një ulje, qoftë edhe në dhënien e dënimeve.

“Krahasimisht me vitin 2022 rezulton një ulje prej 12,13 % e numrit të çështjeve të dërguara në gjykatë dhe 11,87 % e numrit të të pandehurve dërguar në gjykatë. Raporti ndërmjet çështjeve dërguar në gjykatë dhe çështjeve të pushuara është 61,54 % me 38,46 %. Në lidhje me vendimet e gjykatës, nga të dhënat statistikore rezulton se në vitin 2023 janë dënuar 7254 të pandehur që krahasuar me vitin 2022 përbën ulje 31,22 % të numrit të pandehurve të dënuar, dhe për 199 të pandehur është dhënë vendim për deklarimin të pafajshëm ose për 2,67 %.”

Duke analizuar 11 prokurori të vendit, Çela deklaroi se performancë të mirë pune kanë pasur ajo e Shkodrës dhe Kukësit. Këto të fundit kanë përfunduar mbi 65% të procedimeve./tvklan.al