Ardian Fullani: “Këshilli mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë i mbledhur sot në datë 28 tetor 2009, pasi analizoi zhvillimet më të fundit ekonomiko-financiare në vend, projeksionet makroekonomike si dhe balancën e rreziqeve për muajt në vazhdim vendos të ulë me 0.5 pikë përqindje normën bazë të interesit. Pas kësaj ulje kjo normë arrin nivelin 5.25 %. Këshilli mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka arritur në përfundimin se 3 mujori i tretë i vitit 2009 është karakterizuar nga shenja pozitive në ekonominë shqiptare dhe në tregjet ndërkombëtare. Perspektiva afatgjatë e zhvillimit të ekonomisë shqiptare është pozitive. Lehtësimi i sotëm i kushteve monetare ndërmerret në përputhje me dinamikën e zhvillimeve ekonomiko-financiare në vend, në partnerët tanë kryesorë dhe më gjerë në ekonominë globale. Ky vendim përbën një stimul të ri për zhvillimin e ekonomisë në vend duke synuar një ulje të mëtejshme të kostos se financimit të ekonomisë. Sistemi bankar shqiptar duhet të kuptojë drejt rolin e tij për të transmetuar të plotë dhe me shpejtësi këtë lehtësim të politikës monetare në ekonomi.”/tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro