Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka reaguar lidhur me ngjarjen e mbrëmjes së djeshme në rrugën “Mihal Duri” në Tiranë, ku uniformat blu plagosën me armë një trafikant droge gjatë veprimeve policore në funksion të një procedimi penal, me qëllim arrestimin e disa personave të dyshuar për veprën penale “Prodhim dhe shitje narkotikësh”, e kryer në bashkëpunim.
AMP thotë se një person duke drejtuar automjetin tip “Tiguan” në tentativë për t’u larguar, ka kryer manovra të rrezikshme duke goditur dhe duke u bërë rrezik serioz për jetën e disa punonjësve të policisë, si dhe ka shkaktuar dëme materiale një automjeti të Policisë së Shtetit.
Nga hetimet e deritanishme, rezulton se gjatë kryerjes së veprimeve policore me qëllim arrestimin e personave të dyshuar punonjësit e Policisë u kanë bërë disa herë thirrje personave të dyshuar të ndalonin tentativat për t’u larguar dhe në kushtet kur drejtuesi i mjetit nuk është bindur, duke kryer manovra me rrezikshmëri të lartë për jetën e punonjësve të Policisë, është përdorur armë zjarri për neutralizmin e mjetit.
Për shkak të veprimeve intensive të punonjësve të Policisë si dhe lëvizjeve të çrregullta të automjetit, predha e armës, ka shpuar pjesën e derës së drejtuesit të automjetit, dhe si rezultat është plagosur shtetasi E.S., i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve në Spitalin e Traumës, jashtë rrezikut për jetën.
Lidhur me ngjarjen, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka arrestuar në flagrancë tre persona me iniciale E.S., SH.O., I.B., si edhe u shpall në kerkim shtetasi M. H., si të dyshuar për veprat penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, “Kundërshtim i punonjësit të policisë” dhe “Mosbindja ndaj punonjësve të policisë”.
Vijojnë hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes./tvklan.al