Sulmuesi i Granadas kthehet në Spanjë për shkak të një dëmtimi, portieri nuk u stërvit me grupin
Myrto Uzuni nuk do të jetë i gatshëm për trajnerin Silvinjo, për dy miqësoret ndaj Kilit dhe Suedisë.
Sulmuesi i Granadës ka pësuar një dëmtim dhe pavarësisht asistencës së stafit mjekësor, nuk ka mundur dot të rekuperohet.
Pas konsultimit, u vendos që ai të kthehej në Spanjë, për të vazhduar me riaftësimin.
Në 28 paraqitje në La Liga, 28-vjeçari ka shënuar 9 gola dhe ka dhënë 1 asist. Një shqetësim ka pasur edhe portieri Etrit Berisha, i cili nuk u stërvit me grupin.
Tekniku Silvinjo afroi portierin e U-21 Simon Simoni në seancën stërvitore në “Shtëpinë e Futbollit”.
Pas konsultimit me stafin mjekësor u vendos që portieri 35-vjeçar të lihet pushim për sfidën ndaj amerikano-latinëve për të shmangur të papritura. Por ai do të jetë i gatshëm për përballjen kundër skandinavëve.
Pjesa tjetër e lojtarëve u stërvit normalisht. Pas ushtrimeve në palestër, futbollistët punuan edhe nga ana taktike në fushë.
Kjo ishte seanca e fundit stërvitore e kuqezinjve në Tiranë, ndërsa në paraditen e së hënës do të udhëtojnë drejt Italisë.
Në dispozicion të Silvinjos janë 25 futbollistë për miqësoret ndaj Kilit me 22 Mars dhe ndaj Suedisë tre ditë më pas, të cilat do të transmetohen në televizionin Klan.
Klan News