Shkakton debate deklarata e ministrit bullgar
Donacioni i vaksinave në Maqedoninë e Veriut vetëm për “bashkëkombësit” bullgarë, siç përcillet deklarata nga Sofja e ministrit të atjeshëm të mbrojtjes, Krasimir Karakaçanov, sipas Radmila Sheqerinskës është deklaratë nga e cila do të turpërohej edhe kryeministri i tij dhe e cila nuk është as aleate, as miqësore.
“Vërtetë është deklaratë që është vetëm ballkanase, por në kuptim negativ. Ajo që po bëhet e qartë është se shumë njerëz dëshirojnë vetëm të grumbullojnë pikë politike, që nuk do të thonë asgjë. Ka pasur njerëz në Bullgari që kanë grumbulluar edhe para, siç e kemi vërejtur nga pasaportat bullgare në Maqedoninë e Veriut, por për në këtë rast do të flasim për grumbullimin e pikëve politike, që e kemi parë edhe në të kaluarën dhe që zakonisht nuk përfundon mirë. Por, në qoftë se me çështjen e vaksinave dhe të shëndetit dikush përpiqet të grumbullojë pikë të këtilla kjo më shumë flet për të, se sa për të gjithë të tjerët.”
Ministri bullgar i mbrojtjes, Krasimir Karakaçanov në një intervistë për televizionin shtetëror deklaroi se në Maqedoni të Veriut ka rreth 120 mijë “qytetarë bullgarë, të cilëve duhet t’u ndihmohet me vaksina”.
“Këtu nuk bëhet fjalë për fqinjë, por për bashkëkombës. Jo vetëm në Maqedoni, por edhe në krahinat perëndimore në Ukrainë dhe në Moldavi, ku ka komunitete të bullgarëve. Në fund të fundit Bullgaria është shtet i të gjithë bullgarëve. Ne kemi bashkëkombës që jetojnë në vendet jashtë BE-së”.
Përndryshe Maqedonia e Veriut ende zyrtarisht nuk i ka ofruar Bullgarisë ta mbrojë qiellin e Maqedonisë së Veriut, krahas Greqisë, si vend anëtar i NATO-s. Kjo çështje do të mund të zgjidhet pasi të jetë e qartë nëse partneriteti është ashtu si duhet të jetë, thekson ministrja Radmila Sheqerinska në bisedë për Klan Maqedoni.
Tv Klan