Lajme Arkiva 2003
Dita e dytë e operacionit anti-trafik ka shënuar si rezultat arrestimin e tre personave me lëndë narkotike si edhe bllokimin e një skafi për transport klandestin. Gjatë orëve të natës kontrollet e policisë së Fierit kanë bërë të mundur arrestimin e H.M., A.Gj. dhe I.K. në fshatin Gorishovë.
Pasi në banesat e tyre u bllokuan rreth 12 kilogram lëndë narkotike si dhe disa pajisje që shërbenin për presim dhe paketim të kësaj lënde, gjithashtu gjatë kontrollit u gjetën edhe një automatik dhe një pistoletë pa leje. Njëri nga të ndaluarit me lëndë narkotike punonte si polic në komisariatin e Mallakastrës.
Ndërsa gjatë kontrolleve të policisë së Durrësit u bë i mundur bllokimi i një motoskafi me gjatësi 5 metra, ky mjet u gjet i fshehur në oborrin e banesës së një shtetaseje. Operacioni i forcave policore të Durrësit ka përfshirë të gjithë vijën bregdetare, nga gjiri i Lalëzit deri në kepin e Lagjit.
Në operacionin e kontrollit detar janë përfshirë edhe mjete lundruese të distriktit si dhe të misionit italian të Gurada di Finanzia./tvklan.al