“Brenda mandatit përfundon Unaza e Tiranës”
Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi në një mbledhje online buxhetin e vitit të ardhshëm, i cili sipas kryebashkiakut Erion Veliaj do të mbështesë rindërtimin dhe rimëkëmbjen, si dhe do të çoi përpara një sërë projektesh madhore për qytetin.
“Një projekt tjetër që ne gjithashtu do ta vazhdojmë me Bankën Evropiane të Investimeve është zgjerimi i lumit Lana nga “Pallati me Shigjeta” deri në Kashar siç vazhdoi nga Materniteti i Ri deri në Shkozë. Ndërkohë që po vazhdojmë bashkëpunimin me Ministrinë e Infrastrukturës që Unaza të vazhdojë përtej “Shqiponjës”, të kalojë përgjatë Lumit të Tiranës për tu bashkuar pastaj në Tufinë dhe në Farkë aty ku sot është pjesa e tjetër e Unazës Lindore dhe për tu siguruar që brenda këtij mandati ne shohim të plotë Unazën e Tiranës”.
Erion Veliaj foli edhe për Teatrin Kombëtar, i cili sipas tij do jetë 9 herë më i madh, ndërsa akuzoi opozitën se po përdor axhendën e qytetit për qëllime politike.
“Ka nga ata që thonë: Nuk do bëhet ky teatër, deri sa të fitojmë ne dhe partia jonë. Lind pyetja: Po nëse partia juaj nuk fiton edhe kësaj here, siç po thonë sondazhet? Po nëse nuk fiton as herën tjetër?! Po nëse nuk fiton në të ardhmen e afërt dhe të largët, do ta mbajmë peng vendin? S’besoj! Vendi duhet të ecë përpara dhe kjo është arsyeja pse askush nuk duhet t’i përputhë axhendat e qytetit me axhendat e dështuara politike, por me ambiciet tona si qytetarë, si familjarë dhe si vendi ku duam të rrisim fëmijët tanë”.
Gjatë kësaj mbledhje anëtarët e Këshillit Bashkiak miratuan edhe kreditë e buta për 850 familje të pastreha, kryesisht çifte të rinjsh.
Tv Klan