Për të gjithë të rinjtë të cilët duan të aftësohen drejt punëve të së ardhmes, Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Ambasadën Franceze, ka hapur “kampin veror digjital” tek Piramida. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj e cilësoi projektin si një mundësi fantastike për të rinjtë e kryeqytetit, për socializmin mes tyre, por kryesisht në aftësimin në tregun e punës
“Ftesa për të gjithë prindërit është të kujdesen që fokusi i fëmijëve për lojrat apo mësimet të jenë në këto lloj industrish, që do jenë punët e së ardhmes. Ndaj, u them t’i regjistrojnë fëmijët te Qendra Tumo, që të sigurohemi që çunat dhe gocat e Tiranës të marrin aftësimin më shembullor për punët e së ardhmes, por edhe nëse keni ditë pushimi dhe nuk dini ku t’i sillni fëmijët, sillini te ‘Micro-Folie’; ndodhet brenda Qendrës Tumo dhe menaxhohet nga Agjencia e Kreativitetit dhe Industrisë Digjitale.”
Veliaj bëri të ditur se Këshilli Bashkiak ka votuar projektin “Ecole-42”, një shkollë e fokusuar për të rinjtë e moshës nga 18 deri në 22 vjeç, e përqendruar tek digjitalizimi.
“Duam që piramida të gëlojë jo vetëm me jetë, me art, kulturë dhe shkolla digjitale, por edhe me këto projekte, që i ndjekin fëmijët. Në qoftë se ‘Micro-Folie’ është për moshat 6-12 vjeç, Qendra Tumo për moshat 12-18 vjeç, ‘Ecole 42’ për moshat 18-22 vjeç, e kështu me radhë, në çdo segment të jetës, ne sigurohemi që Bashkia e Tiranës të jetë e pranishme në nxitjen e punëve të së ardhmes, dhe nga 22 fëmijë që kemi në pilotimin e ‘Micro-Folie’-s, të shkojmë në 200 mijë fëmijë.”
Projekti “Micro-Folie” ka si aktivitet kryesor Muzeun e tij Dixhital, duke mbledhur disa mijëra vepra arti nga shumë institucione dhe muze. Kjo galeri arti dixhitale është një përvojë kulturore origjinale që inkurajon kuriozitetin.
Tv Klan