Kryebashkiaku: Na ka bërë krenar, do vijojmë mbështetjen për sportin
Shqipëria rrëmbeu dy medalje argjendi në kampionatin Europian të mbajtur në Bullgari, me peshëngritësin Kristi Ramadani.
Sportisti i Tiranës u prit në një takim nga kryebashkiaku i kryeqytetit, Erion Veliaj, i cili vlerësoi suksesin dhe sakrificat e peshëngritësit. Veliaj shprehu bindjen se talentet e reja si Ramadani do të çojnë më tej sportin shqiptar.
“Nuk ngrite vetëm peshat fizike të sportit, por ngrite edhe zemrat tona peshë, edhe ngrite edhe flamurin tonë lartë dhe për këtë të jemi vërtet ty mirënjohës. Brezi fantastik i çunave që na ka bërë shumë shumë krenar ka tani Lojërat Olimpike Brikeni dhe Erkandi do të duhet që në Lojërat e Los Angeles t’i kemi sytë tek ti.”
Ndërkaq, nënkampioni i Europës, Kristi Ramadani u shpreh se kjo është një ëndërr e bërë realitet dhe falenderoi Bashkinë e Tiranës për mbështetjen.
“Ishte shumë emocion i madh. Ishte një gjë që e prisja prej shumë vitesh. Ka që prej kur isha i vogël që e ndjek këtë ëndërr dhe t’i japësh jetë ëndrrës tënde është ndjesia më e mirë që unë kam ndjerë deri tani.”
Në fund të takimit kokë më kokë, kreu i Bashkisë së Tiranës, Veliaj nënvizoi se vitet e fundit kemi pasur financimin më të madh në sport të bërë ndonjëherë. Ai siguroi se financimi për sportet dhe sportistët nuk do të ndalet këtu dhe se puna e mirë e bërë me Parkun Olimpik dhe stadiumin do të vijojë edhe në të ardhmen.
Klan News