Investimet e Bashkisë së Tiranës janë përqendruar në blloqet e banimit në periferi të kryeqytetit.
Teksa inspektoi përfundimin e punimeve në bllokun e banimit që kufizohet nga rrugët “3 Dëshmorët” – Rexhep Shala – Joklin Persi”, Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se qytetarët duhet të bëhen palë me ata që punojnë dhe jo me ata që djegin goma.
“Para se të vinte grupi ynë i punës, ishte grupi tjetër i revolucionit dhe dikush do mbahet mend për sherre e djegie gomash, dikush do mbahet mend për asfalt, për ndriçim, për kanalizime, për këndet e lodrave, për sheshet e pushimit, për hapësirat tona të përbashkëta dhe Sigurisht, për zhvillimin dhe urbanizimin. Bota kështu është ndarë: disa bëjnë vetëm llafe, disa do bëjnë punë. Ftesa ime për të gjithë qytetarët është: Më mirë ejani ta bëjmë revolucionin këtu dhe ta bëjmë këtu urbanizimin, të ndërtojmë një jetë shumë herë më të mirë, secili në shtëpinë e tij, sesa ta bëjmë revolucionin me telekomandë për ata që mezi po presin të shkojnë te Gjiri i Lalzit dhe ta mbyllin stinën e revolucionit”, tha Veliaj.
Veliaj tha se me investimet në zonat periferike është rritur edhe vlera e pronës.
“Këtu ka qenë vërtet një Kandahar. Ish komuna i jepte lejet pa menduar fare për urbanizimin. Tani që kemi mbaruar punë me shumicën e kantiereve të dhëna nga lejet e ish komunës, fillon një sistemim total nga sistemi vertikal, në sistemin horizontal. Hapësira horizontale është hapësira më demokratike. Deri dje kemi qenë periferi. Mund të ishte në vijë ajrore afër Tiranës, por ishte një periferi e lënë pas dore, ku ish komuna s’mendoi as për shkollë, as për kopshte, as për çerdhe”, tha ai.
Në lidhje me çerdhet dhe kopshtet në këtë zonë, kryebashkiaku Veliaj tha se po merren me qira hapësira ekzistuese nëpër pallate për t’u ardhur në ndihmë banorëve të Yzberishtit.
Tv Klan