Për të adresuar problemet më të cilat përballen sot pensionistët, ashtu si Kryeministri Edi Rama, edhe kryebashkiaku Erion Veliaj ka nisur turin e dëgjesat me moshën e tretë.
Në një takim me pensionistë të Njësisë 1, drejtuesi politik i PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj tha se reforma për sigurimet shoqërore do të sigurojë pensione më të mira në të ardhmen.
“Duke mos paguar sigurimet shoqërore ke dëmtuar babanë tënd kur të dalë në pension. Sepse me sigurimet shoqërore që paguhen sot, paguhen pensionet, pavarësisht se kontributet e secilit ruhen për në të ardhmen. Të mos paguash sigurimet shoqërore sot është njësoj sikur të dhunosh xhepin e nënës, babait, gjyshit, gjyshes, sepse e ke privuar nga një e mirë që i takon atij brezi që ka punuar tërë jetën”.
Në ndihmë të moshës së tretë, Veliaj tha se duke nisur nga Janari i vitit që vjen pensionistët do të udhëtojnë falas në transport publik.
“Në 80-vjetorin e Çlirimit duam të kemi një përgjigje për një pension dinjitoz dhe një bonus të mirë për të gjithë pensionistët, diçka që ti thua se: ‘Po! Qeveria ime, bashkia ime, punoi për mua’. Arsyeja pse them edhe bashkia, është sepse ne do të kemi një bonus për pensionistët, që është në formën e abonesë falas për transportin publik. Para 10 vitesh nuk e bënim dot, madje ju kujtoj se asokohe mungonin pusetat në Tiranë”.
Veliaj e quajti urgjente nevojën për reformimin e sistemit të sigurimeve shoqërore dhe përmirësimin e kushteve për pensionistët.
Tv Klan