Drejtuesit Politikë të PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj dhe Ogerta Manastirliu nisën këtë të enjte nga njësia 7 një tur bisedash me pensionistët e kryeqytetit, si pjesë e debatit për Planin e Ri për Pensionet. Kryebashkiaku Veliaj tha se përmes këtij plani parashikohet një rritje e ndjeshme e pensioneve duke filluar nga 2025.

“Propozimi i qeverisë është për një rritje massive, të ndjeshme në xhep, në shportë, në pagesë, të pensioneve, nga viti tjetër e tutje. Ky është një lajm i jashtëzakonshëm sepse sot e kemi mundësinë ta bëjmë këtë bisedë. Më herët nuk e kishim këtë mundësi sepse u përballëm me tërmetin dhe pandeminë” shprehet Veliaj.

Veliaj tha se mes përfitimeve për pensionistët e kryeqytetit do të jetë edhe udhëtimi falas në transportin urban duke filluar nga Janari 2025.

“Kjo është mënyra më e mirë për ta përfunduar këtë vit me një super reformë, që ta fillojmë vitin tjetër mbarë me bonusin e fundvitit, me abonenë e transportit falas dhe me një rritje të ndjeshme të pensioneve”, shtoi Veliaj.

Veliaj tha se ky tur do të jetë një fushatë informimi për pensionistët, por edhe një mënyrë për të marrë mendime për të përmirësuar skemën e re të pensioneve.

Tv Klan