Një betejë e nëndheshme është zhvilluar prej më se tre muajsh mes diplomacisë shqiptare dhe asaj serbe, e cila ka përfunduar me fitoren deçizive pas miratimit te rezolutës se iniciuar nga Shqipëria ne te cilën evidenton qarte se qe nga shpallja e pavarësisë, Kosova ka bere progres ne ndërtimin e institucioneve demokratike.

Ne këtë mënyrë diplomacia shqiptare ka arritur që në Damask të Sirisë, në sesionin e 36-të të Këshillit të Ministrave të Punëve të Jashtme të Organizatës së Konferencës Islamike, e përfaqësuar nga numri një i diplomacisë, Lulzim Basha, të marrë konsensusin e 57 vendeve anëtare të organizatës për një rezolutë në mbështetje të shtetit të pavarur të Kosovës.

Ne rezolute thuhet se tashme shteti i ri i Kosovës ka kushtetutën e tij moderne, si dhe ka kontribuar në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.

Më tej, kjo rezolutë, e cila është e para e miratuar nga OKI-ja që pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, u bën thirrje vendeve anëtare të organizatës dhe bashkësisë ndërkombëtare, që të vazhdojnë të mbështesin forcimin e Kosovës dhe ekonominë së saj.

Rezoluta ngarkon Sekretarin e Përgjithshëm të OKI-së që në sesionet e radhës të Ministrave të Jashtëm të Organizatës të raportojë mbi dinamikën e zhvillimeve në Kosovë, duke e vendosur kështu shtetin me te ri te Evropës në agjendën e përhershme të Organizatës së Konferencës Islamike.

Miratimi i kësaj rezolute në unanimitet dëshmon për një momentum të ri në marrëdhëniet e OKI-së me Kosovën, e cila vjen pas njohjes mjaft të rëndësishme nga Arabia Saudite para disa javëve dhe njohjes së saj nga Mbretëria e Bahrejnit dhe Unioni i Komoreve ditë më parë.

Burime nga punimet e Sesionit të Damaskut bëjnë të ditur se pas këtij momenti te ri pritet një bum njohjesh të Kosovës nga vendet anëtare te konferencës islamike.

Diplomacia shqiptare ka qenë tepër aktive në funksion të miratimit të rezolutës për Kosovën.

Me të dërguarit e saj specialë ne Damask, në Xhedah dhe në disa vende të tjera të Organizatës së Konferencës Islamike, Shqipëria është angazhuar prej më shumë se tre muajsh në një operacion diplomatik të përmasave të mëdha me qëllim miratimin e një rezolutë në mbështetje të shtetit të ri të Kosovës.

Mësohet se diplomacia shqiptare është markuar në vijimësi nga ajo serbe me qëllimin e bllokimit të kësaj iniciative.

Kjo kulmoi me vizitën e 10 ditëve më parë të Ministrit të Jashtëm, Jeremiç në Damask dhe takimeve të tij me autoritetet më të larta të  Sirisë, e cila mbante presidencën e radhës së OKI-së.

Jeremiç ka kërkuar bllokimin e rezolutës dhe pjesëmarrjen e Serbisë me të drejtën e fjalës, duke pretenduar madje edhe marrjen e statusit të vëzhguesit.

Edhe një herë janë vënë në lëvizje mekanizmat e dy diplomacive, asaj të Tiranës dhe Beogradit, të cilat kanë lobuar ethshëm në drejtime krejtësisht të kundërta për të marrë mbështetjen e anëtarëve të Organizatës se Konferencës Islamike.

Burimet diplomatike janë tepër të rezervuara për të dhënë detajet e kësaj faze vendimtare të betejës diplomatike, por një gjë është e sigurt: Jeremiç dhe delegacioni serb nuk kane qenë të pranishëm në sesionin e 36-të të Ministrave të Jashtëm të OKI-së dhe rezoluta në mbështetje të shtetit të pavarur të Kosovës është miratuar në unanimitet të plotë nga 57 vendet anëtare të Organizatës./tvklan.al