I gjithë territori i vendit është përfshirë nga reshje shiu dhe dëbore.

Reshjet intensive të shiut kanë krijuar vështirësi në disa kryqëzime dhe rrugë kryesore të Durrësit. Uji ka kaluar lartësinë e trotuareve duke ndikuar ndjeshëm në qarkullimin e automjeteve dhe lëvizjen e këmbësorëve.

Ndër zonat më problematike janë kryqëzimi pranë stadiumit “Niko Dovana”, ai pranë shkollës “Qemal Mici”, tregut si dhe disa segmente rrugore në lagje të ndryshme të qytetit. Gjithashtu, situata është rënduar në ish-Kënetë, Shkozet dhe Plazh, ku në rrugë prezencë uji.

Gjithashtu për shkak të kushteve atmosferike dhe dallgëzimit të larta në det deri në 6 ballë është pezulluar dalja e mjeteve të vogla të peshkimit.

Edhe Vlora është përfshirë nga reshje shiu dhe erë e fortë. Kapiteneria e portit të Vlorës ka pezulluar daljen në det të mjeteve të vogla dhe anijeve të peshkimit.

Sipas Meteoalb, reshjet e shiut do të jenë prezente edhe të dielën. Ndërsa zonat malore do të përfshihen nga reshjet e dëborës. Për shkak të masave të ftohta ajrore, temperaturat priten të zbresin deri në -4 gradë Celsius në zonat malore.

Vetëm në mesjavë, sipas sinoptikanëve, do të kemi një përmirësim të kushteve atmosferike. I gjithë muaji Dhjetor do të jetë me temperatura tipike dimërore.

Tv Klan