Përveç temperaturave të larta shqiptarët e Maqedonisë i pret edhe verë e nxehtë politike.

Të pakënaqur nga opozita aktuale e shqiptarëve në Maqedoni Partia Demokratike Shqiptare ka paralajmëruar zyrtarizim të shpejtë të propozimit për marrëveshje të re mes shqiptarëve dhe maqedonasve.

Kurse Bashkimi Demokratik Kombëtar ka paralajmëruar protesta gjithë popullore për të drejtat e shqiptarëve.

Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, thotë se partia e tij del me propozim marrëveshje të re pasi që ka dështuar implementimi i marrëveshjes së Ohrit.

Menduh Thaçi: “Dua t’u thuhet maqedonasve se raporti kolonial i pabarabartë duhet të eliminohet. Qeverisja e Maqedonisë duhet të jetë partneritet i vërtet, përfaqësimi adekuat duhet të zëvendësohet formulimi me partneritet të shqiptarëve dhe të maqedonasve dhe ajo e fundit se edhe inkuadrimi në Unionin Evropian dhe në NATO nuk duhet të jetë shqiptarët si shërbëtorë të inkuadrohen atje. Unë nuk kërkoj të drejta, vetëm mundësoj një variant të mbijetimit të Maqedonisë, përndryshe situata do të zhvillohet shumë keq.”

Kryetari i BDK-së, Hisni Shaqiri, thotë se qëllimi i protestave që do t’i organizojë partia e tij është barazia e plotë juridiko-kushtetuese e shqiptarëve në Maqedoni.

Hisni Shaqiri: “Protestat kuptohet janë krejt demokratike për të shprehur pakënaqësitë e popullatës shqiptare dhe për t’i zgjuar disa struktura nga gjumi, të cilët deshtëm apo s’deshtëm veç kuptohet se nuk kanë bërë punë sa duhet edhe pse premtimet dhe deklaratat e tyre para popullatës kanë qenë krejt ndryshe”./tvklan.al