Veriu i Greqisë po përjeton një rritje alarmante të numrit të personave të infektuar me Covid-19. Për këtë arsye, pala greke ka marrë masa shtesë duke forcuar kufijtë tokësorë për të reduktuar lëvizjet e qytetarëve.

Mbyllja e kufirit nga Kapshtica është një nga këto masa që u ndërmorrën gjatë dy ditëve të fundit.

Nga pika kufitare e Promahonas do të lejohet të kalojnë qytetarët grekë dhe ata persona që kanë pasaportë europiane. Kalimi lejohet nga ora 07:00 e mëngjesit deri në orën 23:00 të mbrëmjes. Ndërsa transporti i mallrave nuk do të ketë pengesë.

Kakavija vijon të mbetet e hapur me Shqipërinë, por me masa të shtrënguara dhe për kategori të caktuar. Edhe në këtë pikë kalimi, lëvizja për qytetarët funksionon nga ora 07:00 e mëngjesit deri në orën 23:00 të mbrëmjes.

Lejohet të kalojnë vetëm qytetarë grekë dhe persona që kanë dokument, leje qëndrimi apo pasaportë greke. Këta persona duhet të jenë të pajisur edhe me një test negativ 72-orësh.

Për shkak të rritjes së rasteve të infeksionit edhe në Shqipëri, qytetarët që hyjnë nga vendi ynë drejt shteti grek, janë të detyruar të karantinohen për 7 ditë në atë adresë banimi që kanë deklaruar në formular. Përpos këtyre masave, në doganë janë stacionuar edhe mjekë të cilët kryejnë teste të shpejta për qytetarët që kalojnë kufirin.

Ndërsa për aktivitetin tregtar dhe transportin e mallrave, kalimi në këtë doganë funksionon 24 orë. /tvklan.al