“45-vjeçari keqtrajtonte prej kohësh nënën, ishte e lodhur psikologjikisht”

Këto janë momentet kur Xhemal Loka dhunon bashkëshorten e tij Bedrie Loka. Videon e disponon prokuroria ndërsa një pjesë të saj e ka siguruar edhe Klan News. Në dosjen e organit të akuzës thuhet se djali i çiftit e ka filmuar disa herë të atin teksa dhunon e debaton me nënën.

“Ata gjithmonë ziheshin me njëri-tjetrin si dhe unë kam bërë me celularin tim ca video dhe ja kam çuar motrës sime ku i thosha ja ça po bën mami me babin, i thosha hajde se po zihen, telefoni im ishte në polici e ka marrë babi dhe ka thënë që është i veti.”

Djali tjetër i çiftit ka dëshmuar në polici se prindërit kishin konflikte të vazhdueshme.

“Më datë 27 Dhjetor 2023, kur ka ardhur babi krijoi konflikt me mamin se kishte dëgjuar llafe të njerëzve të tjerë për mamin. I ka thanë mamit lloj lloj fjalësj, i ka thënë do të vras e ka ofenduar me fjalë të rënda e ka goditur mamin me grushta dhe me shkelma.”

Ndërkohë djali i madh i tyre ka zbardhur edhe një telefonatë të rreth një viti me parë mes prindërve

“Madje dhe një ditë para se të vdiste mami, një ditë para se të pinte helm, ka bërë një debat të fortë me mamin se nuk e lejonte mamin të shkonte te shtëpia e gjyshes dhe filloi duke e sharë dhe ofenduar mamin. Debati atë natë ka zgjatur nga ora 19 pak a shumë, deri në orën 23:00. Babi kur ka qenë në Greqi, gati një vit përpara, e ka marrë në celular mamin tim dhe i ka thënë që unë ty do të bëj të vrasësh veten, mbaje mend këtë.”

Vajza e çiftit Loka ka treguar para hetuesve bisedën e fundit me nënën ku kjo e fundit i ka thënë se ishte shumë e ngarkuar psikologjikisht.

“Mami im ka qenë shumë e ngarkuar emocionalisht dhe psikologjikisht dhe shumë herë shprehej se do t’i jepte fund jetës se thoshte jam shumë e lodhur. Komunikimi i fundit që unë e kam bërë me mamin ka qenë ora rreth 22:30 dhe ajo më tha që kishte debatuar sërish me babin tim.”

Bedrie Loka jetonte në Sukth të Durrësit me 4 fëmijët e saj ndërsa bashkëshorti ishte në emigrim në Greqi.

Klan News