Ky që shihni në foto është Rickard Andersson, autori i masakrës në një qendër arsimore në qytetin Orebro.
Sipas medias suedeze TV4, pranë trupit të 35-vjeçarit është gjetur një pushkë gjuetie, për të cilën dyshohet se e ka pasur me leje.
Autori, i cili nuk kishte punuar që nga viti 2014, përshkruhet si një person që “kishte probleme të mëdha në shkollë”.
Performanca e tij si student në shkollë cilësohet gjithashtu si “problematik” , pasi dyshohet se ai dështoi në të gjitha lëndët e semestrit pranveror në vitin e tij të parafundit dhe të gjitha lëndët në vitin e fundit.
Ai jetonte i vetëm në një apartament me një dhomë në Orebro që policia bastisi të martën në kërkim të provave të mundshme që mund të hidhnin dritë për krimin.
Andersson i ishte refuzuar shërbimi ushtarak pasi ai nuk kishte një diplomë të shkollës së mesme. Gjurmët dixhitale të autorit janë inekzistente pasi nuk është konstatuar ndonjë llogari e tij në rrjetet sociale.
Të afërmit e përshkruan atë si një person “vetmitar” që kishte pak kontakte me familjen e tij për vite me radhë.
Klan News