Tre të rinj kanë terrorizuar banorët duke krijuar panik në qytetin e Lezhës. Në pranga kanë rënë Markelian Pepa, 21 vjeç, banues në Reps, Miditë, një 15 vjeçar me inicialet, E. M banues në Lezhë, si dhe P. D., 15 vjeç, në Lezhë.
Policia ka sekuestruar armën e zjarrit me të cilën qëlluan në ajër, një sasi e konsiderueshme fishekësh, 8 granata dore, si dhe një sasi e vogël lënde narkotike e llojit Cannabis Sativa.
Ngjarja ka ndodhur ditën e enjte rreth orës 14:30, në lagjen Varosh të qytetit të Lezhës, pranë hyrjes se një tuneli poshtë kalasë së qytetit. Tre të rinjtë në bashkëpunim me njëri -tjetrin kanë qëlluar në ajër me një armë zjarri duke krijuar panik tek qytetarët.
Grupi hetimor në vendngjarje ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, 35 gëzhoja.
Në vijim të veprimeve të kryera , shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur gjetjen e armës (pushkë model 56), me të cilën kishin qëlluar të rinjtë, të cilën e kishin fshehur në shkurre përreth zonës ku kishin qëlluar.
Së bashku me armën grupi hetimor ka gjetur dhe sekuestruar edhe 332 fishekë luftarakë dhe 8 granata dore dhe një pistoletë shenjë dhënëse.
Po nga veprimet e para hetimore dyshohet se këta shtetas në bashkëpunim me njëri- tjetrin janë dhe autorë të ngjarjes së datës 19.12.2017, ku rreth orës 19.00, kanë qëlluar me armë zjarri, në drejtim të banesës së shtetasit Xh.M, në lagjen “Besëlidhja” të qytetit të Lezhës.
Materialet proceduriale në ngarkim të tre shtetasve, do t’i referohen Prokurorisë, pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, “Prishja e qetësisë publike”. /
tvklan.al