Për më shumë se tre javë Forcat Speciale Amerikane kanë trajnuar forcat speciale RENEA dhe forcat e Batalionit Special të Ministrisë së Mbrojtjes.

Në përfundim, në Sheshin e Akademisë së Arteve dhe në ambientet e brendshme të këtij institucioni u zhvillua një “operacion” mbi një pengmarrje.

Situata e demonstruar përfshiu një situatë pengmarrje masive në një ambientet kulturor. Skenari i kësaj situate pengmarrje u zhvillua tek Akademia e Arteve, ku 4 persona u futën në sallën e shfaqjeve, morën peng 10 – 15 persona dhe kërcënuan me armë.

Në kuadër të kësaj situate nga strukturat e Policisë është marrë informacion se pengmarrësit kanë 2 automatikë dhe 4 pistoleta.

Në terren u angazhuan forcat taktike dhe njësia e snajperëve. Po ashtu u angazhuan edhe njësia e negocimit, njësia anti-eksploziv dhe seksioni i shërbimit ambulator të Komisariatit Special RENEA.

Veprimi i parë që u krye ishte goditja e realizuar nga një snajper ndaj një pengmarrësi, i cili doli jashtë ambienteve të godinës së bashku me një prej personave të marrë peng dhe kërcënonte se do ta vriste. Me eliminimin e pengmarrësit filloi edhe faza e parë e veprimeve taktike të strukturave.

Faza e parë përfshiu afrimin e forcave nga jashtë godinës deri në afërsi të hyrjes, ku u demonstruan lëvizjet që u realizuan nga strukturat në terren në këto raste.

Në vijim u bë një ndalesë, ku u ftuan pjesëmarrësit për të hyrë në ambientet e brendshme të Akademisë së Arteve, pasi aty u zhvillua edhe faza e dytë.

Faza e dytë përfshiu veprimet që u kryen brenda ambienteve ku gjendeshin 10-15 pengje dhe 4 pengmarrësit e armatosur. U demonstruan veprimet për lirimin e pengjeve dhe më pas veprimet për shoqërimin e tyre në ambientet e strukturave lokale policore për intervistimin përkatës./tvklan.al