Kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj është paraqitur mëngjesin e kësaj të Marte në SPAK.


Gazetarja e Klan News Glidona Daci ka siguruar videon teksa ai futet në ambientet e Prokurorisë së Posaçme. Nuk dha një prononcim për mediat, megjithatë pak ditë më parë paralajmëroi se do të dorëzonte në Prokurori dosjet për të gjitha çështjet, përfshirë inceneratorin e Tiranës dhe ‘5D’.

Ndërkohë siç raporton Daci, ka një fletë-thirrje të firmosur nga prokurori i SPAK Dritan Prençi, ku Veliaj do të pyetet lidhur me inceneratorin e Tiranës.

Kjo është hera e parë që kryebashkiaku merret në pyetje nga prokurorët e SPAK.

Kujtojmë se më 28 Mars, SPAK lëshoi urdhërarreste për 9 ish-zyrtarë të bashkisë së Tiranës. Mes të arrestuarve janë ish-drejtori i IMT-së, Mariglen Qato dhe ish-drejtori i UKT-së Redian Molla. Sipas hetimeve, një kompani e drejtuar në mënyrë të fshehur nga Mariglen Qato dhe Redi Molla, fitoi që prej 2016 deri në 2020 tendera në kundërshtim me ligjin nga Bashkia e Tiranës dhe institucionet në varësi të saj.

Në kuadër të të njëjtit hetim një masë e dytë sigurimi u lëshua edhe për Taulant Tushën, ish-drejtor i Përgjithshëm i Planifikimit të Punëve Publike, me dyshimet se ka shkelur barazinë në tendera duke favorizuar kompaninë e Mariglen Qatos dhe Redi Mollës, “5D Construction”.

Prej disa javësh tashmë, janë zhvilluar dhe protesta para bashkisë së kryeqytetit. Eksponentë të opozitës dhe përfaqësues të shoqërisë civile kanë kërkuar dorëheqjen e Veliajt nga posti pas asaj që ata e quajnë “skandali 5D”./tvklan.al