Pas këtyre flakëve që mbrëmjen e së martës rrezikuan shtëpi e resorte, në malin e Shëngjinit tashmë ka rënë qetësia.
Ajo ç’ka ka mbetur pas janë pyje të shkrumbuara, disa shtëpi të dëmtuara, por edhe dëme minimale në disa biznese.
Forcat zjarrfikëse mbeten në zonë për të mbikëqyrur riaktivizimin e vatrave të veçuara.
Ndërsa një ditë më parë pushuesit u larguan në panik nga e gjithë vija bregdetare, sot janë rikthyer.
“Ne kemi pas disa dëme tek beach-bari, tek shezlongët. Por siç e shihni edhe vetë gjithçka është duke u kthyer në normalitet. Pushuesit kanë nisur të vijnë, sot duket krejt situatë tjetër.”
Kryebashkiaku i Lezhës e cilësoi këtë situatë si ndër më të vështirat që ky qytet ka kaluar.
“Ka qenë një rrezik evident shumë i madh. Nëse nuk do punohej pa pushim për 48 orë do të ishte një histori e trishtë”, tha Pjerin Ndreu.
Për vënien nën kontroll të flakëve u desh edhe ndihma e dy avionët Canadair që erdhën nga Italia.
“Është një operacion i cili ka qenë jashtëzakonisht i vështirë, ka kërkuar kapacitete të jashtëzakonshme. Janë përfshirë mbi 300 forca vetëm në momentin final, pa diskutuar prej gati 3 ditësh angazhimin e shumë bashkive…”, tha Haki Çako, kreu i Emergjencave Civile.
Ndërsa Partia Demokratike bëri kritika për mënyrën se si u administrua situata.
“Nëse do të ndërhyhej para 3 ditësh nuk do të kishim këtë situatë. Koha do të tregojë shumë shpejt, a do të fillojë ndërtimi në zonat që u dogjën”, tha Agron Gjekmarkaj.
Një tjetër vatër zjarri që rrezikoi banesat pasditen e kësaj të mërkure ishte në fshatin Luzat të Tepelenës. Rreth 120 efektivë të Forcave të Armatosura, Bashkisë së Tepelenës dhe një helikopter i ushtrisë mundësuan vënien e situatës nën kontroll. Vatra aktive ka edhe në të paktën edhe 5 bashki të tjera të vendit.
Tv Klan