Punimet për ndërtimin e rrugës Kardhiq-Delvinë, 37 kilometra e gjatë, vijojnë me ritme të larta në lotin e parë të saj të tenderuar vetëm pak kohë më parë.

Në këtë segment ka përfunduar ngritja e urave dhe ka filluar shtrimi me çakull i trasesë dhe sipas parashikimeve 7.1 kilometrat e parë të saj pritet të jenë të shtruara me asfalt brenda muajit Shtator.

Dhurim Alinanaj: “Ka përfunduar veprat e artit, janë drejt përfundimit. Ka filluar mbushja me çakëll. Bëhet fjalë që në vjeshtë apo në Tetor apo Nëntor ky aks i parë do të jetë i asfaltuar”.

Puna pritet të nisë së shpejti edhe në dy lotet e tjera të rrugës, ku zbatimi i projektit është në fazën e tenderimit.

Dhurim Alinanaj: “Këtu ka përfunduar dhe shpallur fituesi i lotit tjetër nga Delvina, loti që është afërsisht pesë kilometra me një vlerë afërsisht 5 miliard. Është shpallur fituesi i këtij loti në drejtim nga Qafë Breshëri në fshatin Senicë.”

Aksi do të lidhë banorët e komunave Kardhiq e Vergo fillimisht me Delvinën dhe në vazhdim me Sarandën duke devijuar kalimin nga Gjirokastra dhe Qafa e Muzinës.

Me ndërtimin e kësaj rruge distanca drejt bregdetit do shkurtohet me rreth 30 kilometra. Ajo është një financim i buxhetit të shtetit dhe do kushtojë rreth 600 milion lekë./tvklan.al