Kriza ekonomike globale ka ndikuar minimalisht mbi vendin tonë. Në këtë përfundim doli Ministri i Financave, Ridvan Bode, teksa analizoi gjatë një konference për shtyp të dhënat zyrtare mbi nivelin e të ardhurave dhe shpenzimeve gjatë 7 muajve të parë të vitit.
Sipas Bodes, ndryshe nga vendet e tjera ekonomia dhe financat shqiptare i kanë bërë ballë efekteve të krizës botërore.
Ridvan Bode: “Ju konfirmoj që situata është stabël dhe përballojë me sukses goditjet dhe presionet e krizës ekonomike ndërkombëtare”.
Numri 1 i financave vlerësoi rritjen e të ardhurave tatimore gjatë 7 mujorit, ndërkohë që sipas tij edhe doganat pritet të rikuperojnë luhatjet si pasoje e rënies drastike të çmimeve në tregjet botërore.
Ridvan Bode: “Krahasuar me 1 vit më parë, ajo që është pozitive mund t’ju them se të ardhurat janë në rritje. Administrata tatimore konfirmon një ecuri pozitive të ekonomisë së brendshme dhe e cila ka performuar rreth 12% më shumë nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar dhe është në konform programit dhe ka pasur një ngadalësim në realizimin e të ardhurave doganore për shkak të konjikturës së çmimeve të mallrave të importit. Që nga muaji gusht dogana do të performojë më mirë, do të realizohen objektivat dhe muaji gusht ka programin më ambicioz historik 11 miliard lekë”.
Duke folur rreth shpenzimeve Ministri i Financave tha se investimet publike kanë qenë një mjet efikas që kanë nxitur kërkesën në ekonomi, ndërkohë që shpenzimet operative janë mbajtur të kufizuara pavarësisht fushatës zgjedhore.
Ridvan Bode: “Nëse shpenzimet në tërësi janë 26% më të mëdha nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar, shpenzimet kapitale janë 63%. Kjo dinamikë që ka përcaktuar një ecuri më të shpejt e shpenzimeve të buxhetit të shtetit. Kurse shpenzimet e tjera që janë shpenzimet operative të personelit të tjera janë në një rritje normale sikurse kemi pasur dhe vitet e kaluar prej rreth 18-19%, çka dëshmon të kundërtën e asaj që pretendohet se buxheti është përdorur për qëllime elektorale. Në datën 21 gusht, llogaria e qeverisë në Bankën e Shqipërisë ka 4.8 miliard lekë dhe 90 e 7 milion euro”.
Numri një i financave tha se do të ndihmojë Korporatën Elektroenergjetike me 30 milionë euro për të larë borxhet e përmirësuar situatën e saj, ndërkohë lajmëroi për rialokim të fondeve të pashpenzuara që arrijnë në afro 9 miliardë lekë./tvklan.al
Gazetari: Fjorald Zguro